Mazhoranca dhe opozita kanë miratuar listën me 15 emra që do të dëshmojnë në komisionin hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

I pari që do të dëshmojë në këtë komision është Ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai do të dalë para anëtarëve të PD dhe PS në komision ditën e mërkurë në orën  17:00. Në të njëjtën ditë do të dëshmojë edhe Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në radhët e personave që do të dëshmojnë është dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Muhamet Rrumbullaku dhe Ervin Muça, ish-Drejtor i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie për akuzat e ngritura ndaj tij në lidhje me rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS. Dëshmia e tyre do të bëhet në komision në datën 17 maj në orën11:00.

Sqarime para anëtarëve të komisionit do të japë në datën 27 maj në orën 17:00 edhe  Ardi Veliu, ish-Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Në këtë listë janë të përfshirë edhe disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të cilët kanë qenë në pozicione të ndryshme në institucione të cilat lidhen me të dhënat në sistemin TIMS.

Edhe pse më herët kërkesa që dëshmitar të ishte kryeministrit Edi Rama nuk miratua, opozita këmbënguli edhe ditën e sotme që në listën e dëshmitarëve të ishte edhe kreu i qeverisë, gjë e cila shkaktoi debat mes palëve politike.

Asllan Dogjani, deputet i PD: Më kryesori ndër këta është edhe Edi Rama edhe Bledi Çuçi dhe mendoj se është personi kryesor Ish-ministri i Brendshëm

Toni Gogu, deputet i PS: Çdo minutë që ne e shpenzojmë duke folur ne mos harroni e marrim nga koha që do të flasin dëshmitarët.

Ervin Salianji, deputet i PD: Kryeministri i kësaj republike që quhet Edi Rama nuk është jashtë juridiksionit të këtij shteti. Është e detyrueshme që kryeministri të respektojë Kushtetutën.  

Kryetari i këtij komisionit, Ervin Salianji theksoi se nëpërmjet dëshmive, hetimi parlamentar si pas tij, do të arrijë të zbulojë përgjegjësit e vërtet për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS, por pa u përfshirë në hetimet që kryen nga organet e drejtësisë.

Klan News