Hapja e grupkapitullit të fundit të negociatave me BE-në dikton jo vetëm nevojën e përmbushjes së reformave, por edhe bashkëpunimin ndërpartiak e atë institucional.
Ky ishte qëndrimi i përbashkët i dalë nga takimi dyditor i Komitetit të Stabilizim-Asociimit që u mbajt në Tiranë, ku u vlerësua veçanërisht konsensusi i gjerë mes forcave politike për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Union.
“Jemi dakord për nevojën për të pasur legjislacion të mirë, si dhe për zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe të intensifikuar. KPSA përshëndet angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj anëtarësimit në BE dhe konsensusin e gjerë e të lavdërueshëm mes forcave politike, pavarësisht dallimeve të tyre të zëshme në çështje të tjera.”, tha Balla.
E teksa integrimi i bashkoi, lufta kundër krimit të organizuar i përplasi palët në tryezë.
“Edhe pse zv/kryeministre Belinda Balluku, është nën hetim, vijon të jetë në krah të Ramës dhe numri 2 i qeverisë”, tha Bardhi.
“Ne kurrë s’do bëjmë deklaratë dhe të hyjmë në meritat e një çështjeje të drejtësisë”, tha Balla.
Jo vetëm drejtësia, por ajo që ndau palët ishin edhe zgjedhjet e 11 majit, si dhe konstatimet në raportin përfundimtar të ODIHR-it.
“Kur raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it apo edhe raporti i eurodeputetëve të Parlamentit Europian tregon që zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të barabarta, kjo do të thotë se Parlamenti dhe Qeveria jonë sot nuk kanë legjitimitet demokratik.”, tha Bardhi.
“Një këshillë kam për deputetët e opozitës: këta europianët i lexojnë vetë raportet për Shqipërinë, dhe unë në opozitë e kam bërë këtë gabim, por është moment historik për Shqipërinë që ta shohim anëtarësimin në BE si fitore të Shqipërisë dhe jo të shumicës e humbje e pakicës.”, tha Balla.
Në emër të mazhorancës, Balla mbështeti propozimin e bërë një ditë më parë nga kreu i Partisë Demokratike për të ndarë në dy dhoma përfaqësimin e deputetëve në Parlament dhe ftoi opozitën që këto kërkesa t’i paraqesë në tryezën e komisionit të reformës zgjedhore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 