Mbi 13 mijë familje do të marrin kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, deklaroi përmes një video-mesazhi se qeveria ka vendosur në dispozicion rreth 1.4 miliardë lekë, duke përmbyllur një kapitull të gjatë të mbartur prej vitesh në çështjen e pronës.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, deklaroi se fondi do të përfitohet drejtpërdrejt nga familjet e prekura, duke e cilësuar këtë proces jo thjesht si një detyrim financiar, por si një akt drejtësie dhe respekti për ligjin dhe qytetarin.

Qeveria garanton se do të vijojë pa ndërprerje procesin e kompensimit për të gjithë pronarët.

Ndër të tjera, ministri deklaroi se i ka kërkuar Agjencisë së Trajtimit të Pronës që procedurat të ecin me ritme të shpejta, në mënyrë që të përmbushet detyrimi ndaj pronarëve të tjerë. Ndërkohë, lista e përfituesve është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Klan News

/tvklan.al