Mediat greke kanë zbuluar të tjera detaje nga komploti për vrasjen e një biznesmeni izraelit në Greqi, me urdhër të Iranit. Autorët e dyshuar janë një grup personash, pjesë e të cilit ishin edhe 4 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Sipas hetimeve grupi ishte rekrutuar nga shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh i cili dyshohet se kishte lidhje të drejtpërdrejta me shërbimet sekrete të Teheranit.

Ai mendohet se kishte përzgjedhur objektivin dhe kishte koordinuar përgatitjet për atentatin, ndërsa takime të fshehta me anëtarët e grupit ishin zhvilluar në vende të treta përfshrië Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një rol në rekrutimin e personave dyshohet se kishte edhe trafikanti iranian i drogës Naji Sharifi Zindashti i njohur për përfshirjen në çështjen e sekuestrimit të dy tonëve heroinë në vitin 2014.

Katër persona u arrestuan në Shkup dhe Kumanovë, ndërsa një tjetër u kap në Greqi dhe më pas iu dorëzua autoriteteve maqedonase. Një i gjashtë është ende në kërkim.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi armë, municione, telefona, kompjuterë dhe një skicë me një vendndodhje të shënuar, që dyshohet se lidhet me objektivin e atentatit.

Hetimet për këtë çështje kishin nisur në mars të këtij viti ndërsa komploti u zbulua falë bashkëpunimit të ngushtë mes shërbimit izraelit Mossad, autoriteteve në Greqi dhe Maqedoni të Veriut.

/tvklan.al