Rreth 2 milionë njerëz u mblodhën në plazhin ikonik të Copacabanas në Brazil të shtunën në mbrëmje për koncertin historik të këngëtares kolumbiane Shakira. Shifrat tejkalojnë koncertet e mbajtura më parë nga Madonna dhe Lady Gaga.

Superylli kolumbian, Shakira, mbajti një koncert falas në plazhin ikonik të Rio de Janeiros të shtunën në mbrëmje, një ngjarje që është konsideruar e paharrueshme për qytetin.

Këngëtarja e popit performoi para një turme të madhe në plazhin Copacabana si pjesë e turneut të saj botëror Women No Longer Cry, i cili mori emrin nga albumi i saj i vitit 2024.

Sipas raportimeve të mediave, koncerti tërhoqi rreth 2 milionë njerëz, një numër rekord që tejkalon koncerte të ngjashme të mbajtura më herët në Rio nga Madonna apo Lady Gaga.

Përpara se të niste mbrëmja, të pranishmit u mahnitën nga një shfaqje me dronë që formonin figura të ndryshme. Ajo foli me dashuri për herën e parë që erdhi në Brazil, rreth tre dekada më parë.

Fansat brohoritën dhe kënduan hitet e preferuara si “Hips Don’t Lie”, “La Tortura” dhe të tjera. Koncerti falas erdhi si pjesë e përpjekjeve të bashkisë së Rios për të nxitur aktivitetin ekonomik pas festimeve të karnavaleve dhe vitit të ri në qytet.

Sipas të dhënave, performanca e Shakirës mund të ketë gjeneruar rreth 155 milionë dollarë, falë fluksit të turistëve dhe parave të shpenzuara në restorante, hotele, dyqane dhe shërbime të tjera.

Tv Klan

/tvklan.al