Integrimi evropian si investimi më i madh strategjik i Shqipërisë dhe mundësitë e reja për tregjet e rajonit, ishin në fokus të ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në Tiranë.

“Europa është investimi jonë më i madh. Çështja është kur do të arrijë në Evropë i pari, por për Ballkanin Perëndimor nuk ka kthim pas. Për Shqipërinë anëtarësimi në BE nuk është një ceremoni diplomatike, është një transformim ekonomik ditë pas dite, qeverisje më të mirë, tregje të hapura, investime të reja. T’i kthejmë të gjitha në mundësi të reja për të rinjtë për të qëndruar në vend. Ne duam të kemi akses gradual, përpara anëtarësimit. Rruga drejt BE-së e vendit tonë është përshpejtuar shumë, ne i kemi hapur tani 33 kapituj, jemi vendi i parë që i arritëm në kohë të shkurtër. Qëllimi është t’i mbyllim deri në fund të 2027-ës, për t’u anëtarësuar në 2030-ën”, tha Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Ndërsa kryediplomati shqiptar ftoi sipërmarrësit e huaj të shfrytëzojnë potencialin rajonal, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, vuri theksin te përfitimet e prekshme që para anëtarësimit dhe nevoja për thellimin e reformave.

“Ju nuk jeni periferia e Evropës, ju jeni pjesë e së ardhmes së Evropës. Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm, për shkak të afërsisë dhe ekonomive të integruara. Sfida është t’i forcojmë këto lidhje që ndihmojnë bizneset e rajonit të rriten. Përfitimet e anëtarësimit nuk fillojnë ditën e anëtarësimit, por fillojnë shumë më shpejt. Kjo është arsyeja pse BE-ja është angazhuar edhe para anëtarësimit. Ne duam të operojmë mes kufijve të lirë, duam që kompanitë të fitojnë duke nisur që sot, premisa e integrimit duhet të jetë e prekshme. Qeveritë të shpejtojnë reformat, të forcojnë shtetin e së drejtës, ta bëjnë ekonominë rajonale një realitet”, tha De Sousa.

Mesazhi i përbashkët i konferencës mbetet reduktimi i barrierave tregtare, për ta kthyer tregun e përbashkët rajonal në një urë të drejtpërdrejtë drejt tregut evropian.

/tvklan.al