Me vaksinimin masiv në Izrael arrin efektshmëri 94%

Vaksinimi masiv i popullsisë në Izrael konfirmon rezutatet e mëhershme të testeve klinike se vaksina e firmave Pfizer/BioNTech krijon nivel të lartë imuniteti ndaj Covid-19, si për të rinjtë ashtu edhe të moshuarit.

Statistikat më të fundit të publikuara nga Ministria izraelite e Shëndetësisë tregojnë se dy dozat e vaksinës Pfizer arrijnë një nivel efektshmërie prej 94% për parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes. Me vetëm një dozë, efektshmëria arrin në 62%.

Për parandalimin e vdekjeve, efektshmëria arrin nivelin 72%, dy ose tre javë pas dozës së parë. Ky nivel përmirësohet me kalimin e kohës teksa imuniteti konsolidohet. Rezultati bazohet në krahasimin e të dhënave tek mbi 600 mijë të vaksinuar me dy doza të moshave mbi 16 vjeç. Izraeli ka ritmet më të larta në botë në imunizimin e popullatës kundër Covid-19 dhe është i vetmi që ka arritur të vaksinojë me të paktën 1 dozë, gjysmën e popullsisë.

Sakaq, administrata amerikane e barnave FDA konfirmoi se vaksina e firmës Johnson&Johnson ka efektivitet 85.9% në parandalimin e rasteve të rënda të infektimeve me vetëm një dozë. Kjo vaksinë ende po u nënshtrohet kontrolleve para se të marrë dritën e gjelbër të përdorimit urgjent. 

Tv Klan