Për herë të parë në Shtetet e Bashkuara është konfirmuar një rast te një njeri i infektuar nga larva e njohur si “New World screwworm”, i quajtur ndryshe si “krimbi që ha mishin e njeriut”. Ky është një parazit që ushqehet me inde të gjalla, zakonisht të kafshëve, por ndonjëherë edhe të njerëzve. Pacienti ishte kthyer nga një udhëtim në Amerikën Qendrore dhe u diagnostikua nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) më 4 gusht. Lajmi, i raportuar fillimisht nga “Reuters”, ka shkaktuar shqetësime për ndikimin në industrinë e blegtorisë dhe për mundësinë që paraziti të përhapet më në veri dhe te njerëzit.
Konfirmimi i rastit
Departamenti Amerikan i Shëndetësisë ka njoftuar për rastin e parë te njeriu që lidhet me një udhëtim në një vend ku ka shpërthime të kësaj larve. Zëdhënësi i departamentit, Andrew G. Nixon, konfirmoi me email për “Reuters”: “Rreziku për shëndetin publik në SHBA nga ky rast është shumë i ulët.”
Rasti u hetua nga Departamenti i Shëndetit në Maryland, në bashkëpunim me CDC-në. Pacienti kishte qenë më parë në El Salvador.
Megjithatë, burime nga industria e blegtorisë në SHBA kishin thënë një javë më parë se CDC kishte konfirmuar një rast infektimi te një person nga Maryland që ishte kthyer nga Guatemala. Nixon nuk e sqaroi këtë ndryshim në informacion.

Çfarë është “screwworm”?
Screwworm (emri shkencor: Cochliomyia hominivorax) është një larvë parazitare. Femrat e kësaj larve i vendosin vezët në plagët e kafshëve me gjak të ngrohtë. Kur çelin vezët, qindra larva fillojnë të ushqehen me inde të gjalla, duke gërryer mishin me gojën e tyre të mprehtë, lëvizja e tyre i ngjan vidhosjes me vidhë, prandaj dhe e quajnë ndryshe “krimbi vidhoz“.
Nëse nuk trajtohet, infeksioni mund të jetë vdekjeprurës për “pritësin”. Te kafshët shtëpiake dhe të egra, dëmet janë shumë të mëdha. Edhe njerëzit mund të infektohen, megjithëse rastet janë të rralla.
Trajtimi është i ndërlikuar: kërkon heqjen me dorë të qindra larvave dhe pastrimin e thellë të plagëve. Nëse infektime të tilla zbulohen dhe trajtohen me kohë, zakonisht nuk janë fatale.
Rreziqet për bujqësinë dhe kostot ekonomike
Një raport i Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA) parashikon se nëse shpërthen një epidemi, vetëm në Teksas mund të shkaktojë dëme deri në 1.8 miliardë dollarë, për shkak të vdekjeve të bagëtive, kostove të punës dhe shpenzimeve mjekësore.
Më 15 gusht, Sekretarja e Bujqësisë, Brooke L. Rollins, njoftoi në Teksas një plan me pesë pika për të luftuar këtë parazit. Një nga masat është prodhimi i miliarda larvave mashkullore sterile, të cilat do të hidhen nga ajri në jug të Teksas-it dhe në Meksikë. Këto miza do të çiftëzohen me femrat, por vezët nuk do të çelin, gjë që do të çojë me kalimin e kohës në zhdukjen e parazitit.
E njëjta teknikë u përdor me sukses në vitet ’60 për të zhdukur “screwworm”-in nga SHBA.

Një kërcënim që po vjen nga jugu
Sipas USDA-së, “screwworm” apo “krimbi vidhoz” po ngjitet nga jugu përmes Meksikës, duke ardhur nga zona të tjera të Amerikës Qendrore. Paraziti është i pranishëm (endemik) në Kubë, Haiti, Republikën Domenikane dhe disa vende të Amerikës së Jugut.
Në korrik, Meksika raportoi një rast në qytetin Ixhuatlán de Madero, në shtetin Veracruz, vetëm 600 kilometra larg kufirit me Teksas-in. Kjo çoi në pezullimin e menjëhershëm të tregtisë ndërkufitare të bagëtive – një masë që ishte marrë edhe në nëntor dhe maj./tvklan.al












Botërori 2026 
