Kërcënimi për konfiskimin e anijeve ruse nga Perëndimi në Detin e Kuq, Moska e cilëson pirateri dhe grabitje. Ministri i Jashtëm rus paralajmëroi se do të kundërpërgjigjen dhe se objektivat do të caktohen nga Kremlini.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se Moska do të zgjedhë vetë objektivat që do të godasë, në rast se vendet perëndimore konfiskojnë anije ruse.
Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, Lavrov iu referua deklaratave të presidentit Vladimir Putin, i cili një ditë më parë kishte paralajmëruar se Rusia do të përgjigjej në të njëjtën mënyrë ndaj asaj që e konsideron grabitje dhe pirateri.
“Ne do t’i zgjedhim vetë objektivat. Objektivat do të jenë anijet që veprojnë në interes të vendeve që e kanë kthyer grabitjen dhe piraterinë në politikë zyrtare shtetërore”, deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Bashkimi Evropian po shton presionin ndaj të ashtuquajturës “flota hije” ruse, duke zgjeruar sanksionet ndaj qindra anijeve dhe duke ndaluar disa prej tyre për kontrolle.
Lavrov e cilësoi politikën evropiane si një rrugë “shumë të rrezikshme”, duke akuzuar Bashkimin Evropian se po vendos vendimet e veta mbi të drejtën ndërkombëtare.
Por përplasja mes Moskës dhe Perëndimit nuk ndalet te çështja e anijeve, pasi më herët Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara për përfshirje në sulmet ukrainase ndaj objektivave brenda territorit rus.
“Ne kemi paraqitur një seri pyetjesh në Departamentin amerikan të Shtetit, përfshirë çështjen e të dhënave të inteligjencës dhe faktin se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përfshira në organizimin dhe realizimin e sulmeve në thellësi të territorit rus. Presim një përgjigje.”
Nga Uashingtoni nuk pati menjëherë një koment për akuzat e ministrit rus. Ndërkohë, Lavrov tha se Rusia nuk synon një ndalim të menjëhershëm të luftimeve. Sipas tij, Moska do të ndalojë vetëm kur të arrihet një marrëveshje afatgjatë dhe e qëndrueshme.
Në terren, situata vijon të jetë e tensionuar. Në rajonin ukrainas të Sumisë, autoritetet lokale raportuan vrasjen e një 29-vjeçareje dhe djalit të saj 9-vjeçar, pas një sulmi me dron rus ndaj një banese.
Katër persona të tjerë u plagosën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi një rritje të sulmeve ndaj objekteve shëndetësore, personelit dhe pacientëve në zonat e konfliktit. Sipas të dhënave të OBSH-së, vetëm nga janari deri në gusht të këtij viti janë verifikuar më shumë se 900 sulme, me të paktën 900 viktima dhe mbi 1 mijë e 400 të plagosur.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 