Kongresi i SHBA-së do t’u rikthehet të martën diskutimeve mbi Ballkanin Perëndimor përmes një seance dëgjimore të veçantë, ku do të marrë pjesë Daniel J. Lawton zëvendës ndihmës sekretari për çështjet evropiane dhe euroaziatike në Departamentin e Shtetit.
Gjatë administratës së Joe Bidenit, roli i të dërguarit kryesor amerikan për këtë rajon mbahej nga Gabriel Escobar.
Diskutimet do të zhvillohen në kuadër të Nënkomitetit për Evropën, të kryesuar nga Kongresmeni Republikan nga Teksasi Keith Self.
Në qendër të këtyre diskutimeve janë politika e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor nën administratën Trump si dhe sfidat e sigurisë rajonale.
Kjo seancë dëgjimore vjen në një kohë kur Ballkani Perëndimor mbetet në qendër të debatit në Kongresin e SHBA-së, për shkak të çështjeve që lidhen me stabilitetin rajonal, integrimin euroatlantik dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm.
Qasja e administratës Trump ndaj Ballkanit Perëndimor pasqyron një ndryshim të rëndësishëm doktrinor në diplomacinë amerikane, ku theksohet se ka përfunduar epoka e ndërtimit të shtetit nën udhëheqjen amerikane.
Shtetet e Bashkuara po përqendrohen në garantimin e stabilitetit rajonal, nxitjen e partneriteteve tregtare me shtetet ballkanike si dhe adresimin e sigurisë së tyre energjetike.
Administrata aktuale amerikane e sheh rajonin jo si një zonë krize që kërkon “shpëtim” apo mbikëqyrje të vazhdueshme ndërkombëtare, por si një partner strategjik.
Uashingtoni këmbëngul që liderët lokalë të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e sfidave të tyre siç është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa zgjidhje të imponuara, duke synuar në vend të kësaj një marrëveshje të qëndrueshme që nuk favorizon njërën palë në kurriz të tjetrës.
Luftimi i krimit të organizuar transnacional, ruajtja e sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës, kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez në rajon mbeten gjithashtu shqetësime kryesore për administratën Trump.
Rrjetet e krimit të organizuar dhe kartelat e drogës në Ballkanin Perëndimor konsiderohen si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së; rrjedhimisht mbeten prioritet çmontimi i këtyre rrjeteve si dhe sanksionimi i individëve të përfshirë në to.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
