Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, të mbajtur në Tiranë, u vendos ngritja e një skuadre bashkërenduese të këtij komuniteti, nën kujdesin e Zyrës së Presidentit të Këshillit Evropian. Në konferencën përmbyllëse, së bashku me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, Rama e cilësoi samitin si të suksesshëm.

“Mendoj që dita ka qenë e frytshme. Patëm disa tryeza të rrumbullakëta me një sërë temash diskutimi dhe, në fund, pati përfundime shumë interesante, të cilat do të ndiqen më tej nga pala daneze. Ndërkohë, vendosëm që do të krijohet një skuadër bashkërenduese e KPE-së nën kujdesin e Zyrës së Presidentit të Këshillit Evropian.”

“Rusia përbën një kërcënim serioz, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë ne, për shkak të sulmeve kibernetike, keqinformimit dhe përpjekjeve për të shkatërruar demokracitë tona. Prandaj, riarmatimi i Evropës duhet të jetë prioriteti ynë kryesor. Nëse nuk jemi të gatshëm të mbrojmë njëri-tjetrin, si mund të ndihmojmë të tjerët?”

Kryeministri Rama u pyet edhe për zgjedhjet e 11 Majit dhe vërejtjet e raportit të OSBE-ODIHR-it, por ai u shpreh se raporti pasqyroi vullnetin e popullit shqiptar.

“Më duhet të them që ajo që cituat është një pjesë e shkurtër nga një deklaratë shumë më e gjatë dhe gjithëpërfshirëse, e cila në thelb i përshëndeti zgjedhjet në Shqipëri. Ajo iu referua disa akuzave të lidhura me raportin paraprak – i cili, si çdo raport paraprak, hartohet për t’u verifikuar dhe ballafaquar me prova. Kështu që, do të thoja se në këtë drejtim, zgjedhjet shqiptare ishin shprehje 100% e vullnetit të popullit shqiptar – jo 99%.”

Rama shtoi se proceset zgjedhore në Shqipëri janë përmirësuar vazhdimisht dhe janë në përputhje me standardet e OSBE-ODIHR-it për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Tv Klan