4 muaj pa shërbim, si do të menaxhohet fluksi i mjeteve për kolaudimin

Me miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor, i hapet rruga dhënies së shërbimti të kolaudimit të makinave nga shteti. Sipas Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, kontrolli teknik do të nisë brenda këtij muaji.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, e cila do të ofrojë tashmë këtë shërbim pret botimin e ndryshimeve në Fletoren Zyrtare, ndërsa nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pritet të publikohet udhëzimi zbatues për kontrollin e automjeteve por ende nuk e ka një datë të saktë për qytetarët.

Dyert e pikës së kolaudimit në Tiranë vijojnë të jenë mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të sigurisë.

Afërsisht 1/3 e automjeteve në Shqipëri sot qarkullojnë vetëm me vulën e pagesës së taksës së qarkullimit dhe pa formularin e kolaudimit, ndërsa probleme të shumta ka me automjetet e bizneseve dhe qytetarëve që kërkojnë të udhëtojnë jashtë kufijve dhe pengesë bëhet kolaudimi i mjetit.

Për këtë arsye, shërbimi i kontrollit teknik do të ofrohet më parë për kategoritë më sensitive, transportin publik, taksitë dhe autoshkollat, të cilat e kanë detyrimin për të bërë kolaudim 1 herë në 6 muaj dhe më pas do të publikohen njoftime për kategori të tjera që do të jenë në radhë, në mënyrë që të menaxhohet fluksi i lartë.

Tv Klan