Janë vetëdorëzuar në polici 4 autorët që rrahën të riun me shkopa bejsbolli

Kontrollet intensive të policisë në banesat e familjarëve, të afërmve, vendet ku mund të fshiheshin 4 autorët e dhunimit të një 30 vjeccari në Korçë, i ka detyruar ata të dorëzohen. Spartak Selimi, Kristi Selimi, Marsel Xhakollari dhe Erion Gura janë vetëdorëzuar paraditen e së dielës në komisariatin e policisë së Korçës. Arratia e 4 autorëve të dhunimit barbar të Ramadan Hasanit zgjati vetëm 3 ditë.

Ngjarja ndodhi mesditën e së premtes më 22 mars, në lagjen nr.16. 30-vjeçari po lëvizte në trotuar kur katër personat që ndodheshin në një automjet tip Benz zbresin dhe e ndjekin nga pas. Për tu shpëtuar, i riu futet ambientet e një Lavazhi, por agresorët e ndjekin dhe godasin me shkopinj bejsbolli.

Më pas Ramadan Hasani u ikën dhe tenton të fshihet tek një servis automjetesh aty pranë, por sërish autorët e ndjekin dhe e godasin. 30-vjeç u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet rezultoi se sheri i të premtes ndodhi pas një konflikti të mëparshëm mes Spartak Selimit dhe vëllait të të dhunuarit, Hasani.

Klan News