Rezultojnë negative 8 rastet e dyshuara

Shqipëria nuk ka asnjë rast me koronavirus, pavarësisht përhapjes së shpejtë në Italinë fqinje. Tetë rastet e dyshuara nga Instituti i Shëndetit Publik, kanë rezultuar negativ. Por situata në Itali ka detyruar autoritetet të rrisin masat në kufi, veçanërisht në Rinas e Durrës.

4 500 udhëtarë kanë hyrë në vendin tonë nëpërmjet rrugëve tokësore, ajrore dhe detare në 24 orë e fundit, të cilët ekspertët e shëndetësisë i kanë kontrolluar në lidhje me koronavirusin. Përhapja e virusit në vendin fqinj, Italinë, ka rritur sistemin alert në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastiriu ka mbledhur Task Forcën në Aeroportin e Rinasit prej, ku dhe deklaroi se nuk do të pezullohen fluturimet me Italinë.

“Në varësi dhe sipas shkallës së rrezikshmërisë, do të marrim masat përkatëse. Aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi. Sa i përket mbylljes së kufijve, do të vlerësohet rreziku dhe në bazë të tij do të përcaktohen masat. Për momentin ne kemi dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare, për të pasur kontroll të imtësishëm”.

Kontrollet në Aeroportin e Rinasit kanë vijuar për çdo udhëtarë të ardhur nga Italia. Fluksi ka qenë tërësisht normal edhe në udhëtimet drejt Italisë, pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve nga koronavirusi.

Veç kontrollit në kufi, Ministria e Shëndetësisë thotë se ka marrë të gjitha masat e nevojshme, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndërsa bëri thirrje që situata të mos politizohet.

Nëpër shkolla, mësuesit kanë nisur t’u shpjegojnë nxënësve rregullat e higjienës. Sistemi shëndetësor është ngritur në nivel  gatishmërie dhe autoritetet apelojnë që të dëgjohen ekspertët, në mënyrë që të evitohet paniku.

Tv Klan