Drejtori i ARRSH prezanton në Klan News detajet e projektit dhe veprat e tjera infrastrukturore
Punimet në rrugën e re Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8, po vazhdojnë me ritëm të lartë dhe shumë shpejt pritet të nisë asfaltimi për një segment prej 5 kilometrash. Ky aks do të shkurtojë ndjeshëm distancën për t’u lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2027 sipas kreut të ARRSH, Evis Berberi.
“Ne jemi dakordësuar me palën e Republikës së Maqedonisë së Veriut që ata nëse çdo gjë ecën mbarë, përfundojnë në fund të vitit 2027 Korridorin 8 të tyre, pa marrë parasysh pjesën e re që kemi projektuar, pasi do të bëhet një tunel. Ne vijmë në një kuotë diku 800 metra pasi është përzgjedhur 800 metra për shkak se niveli i borës në atë zonë është 900 metra dhe ne zbresim 800 metra që mos të kemi dhe problemet e mirëmbajtjes që parashtrohen nesër. Duke qenë se kjo është një pikë e re, ndryshim projekti për palën e tyre dhe një tunel që do të bëhet nga të dyja palët, 3 kilometra nga ne dhe 3 kilometra nga ata, ata (Maqedonia e Veriut) kanë parashikuar 2027, por mund të shkojë edhe pak më tepër pasi jemi në diskutime. Dhe ne mendojmë që 2027 është e përshtatshme dhe për ne pasi dhe parashikimet buxhetore që ne kemi bërë i kemi bërë që brenda vitit 2027 ta kemi mbaruar dhe ne segmentin tonë të paktën nga Elbasani deri në pikën e re doganore”.
Bazuar në raportin e INSTAT se nga 2014-2022 qeveria ka shpenzuar 2 miliardë Euro për rrugët, por ka patur edhe copëzim në projekte, Berberi dha këtë sqarim.
“Nga viti 2014-2022 ne kemi pasur një buxhet të caktuar për të investuar në infrastrukturën rrugore. Duke qenë se nevojat janë të mëdha, çdo vit ne kemi një buxhet të miratuar në bazë të projekteve, por nuk është vetëm kjo. Bëhet parashikimi 3-vjeçar. Pra ne e dimë që sot çfarë investimesh do të kemi në 3 vitet e ardhshme. E njëjta gjë ka ndodhur që nga vitti 2014 e tutje dhe më përpara, në politikë bëhet një plan menaxhimi afatmesëm dhe më pas bëhet një plan menaxhimi vjetor të projekteve që ke për të investuar”.
Finalizimi i projektit të Korridorit 8 do t’i sjellë shumë avantazhe ekonomisë së vendit tonë dhe do të kthejë portin e ri tregtar të Durrësit në një pikë tepër strategjike.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 