Shqipëria konsiderohet si një nga vendet ballkanike me ecurinë më të mirë drejt bllokut evropian, por provimi i vërtetë mbetet sundimi i ligjit dhe përballja me korrupsionin. Vlerësimi është i komisioneres për zgjerimin, Marta Kos, e cila, e pyetur nëse ishte e shqetësuar për situatën aktuale në Shqipëri dhe me hetimet për ish-zëvendëskryeministren Balluku apo se si po e menaxhonte kryeministri Rama procesin e anëtarësimit, dha këtë përgjigje.
“Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer. Pra, ne jemi tani në procesin, nga shtetet anëtare, të kalimit përmes standardeve të ndërmjetme për sundimin e ligjit, dhe duket mirë. Por natyrisht ka disa raste, dhe ju përmendët rastin e Ballukut, të cilin ne po e monitorojmë vërtet mirë. SPAK, agjencia kundër korrupsionit në Shqipëri, po bën një punë të shkëlqyer, dhe është disi normale që pastaj ata gjejnë raste. Pra, e rëndësishme është që nëse ato raste janë aty, cilat janë reagimet ndaj tyre? Dhe këtë e monitorojmë edhe ne”, shprehet Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin.
Zyrtarja e lartë e BE-së thekson se përtej ligjeve të mira, sfida kryesore me korrupsionin mbetet ndryshimi i mentalitetit. Sipas saj, korrupsioni nuk duhet të jetë më një fenomen i pranuar nga shoqëria, një proces ky që kërkon kohën e vet.
“Një tjetër çështje me anti-korrupsionin, e cila do të thoja që është tipike për të gjitha vendet kandidate, ju e dini, mund të keni legjislacionin më të mirë për luftimin e korrupsionit, por nëse korrupsioni është i pranuar në vend, atëherë keni një tjetër problem. Pra, të gjitha ato vende po kalojnë përmes këtij procesi të ndryshimit të mentalitetit ndaj korrupsionit, dhe kjo kërkon pak kohë”, tha Kos.
Ky qëndrim i Brukselit vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, ku ndërsa vlerësohet ecuria në procesin e integrimit dhe pritet mbyllja e kapitujve themelorë, lufta kundër korrupsionit shihet si prova e zbatimit të shtetit të së drejtës.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 