Inflacioni në Kosovë prej dy vitesh po rëndon ndjeshëm xhepat e qytetarëve, duke e renditur këtë vend të parin në rajonin e Ballkanit për rritjen e çmimeve të konsumit.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, edhe gjatë muajit qershor inflacioni ishte në nivelin 6%.

Arsye kjo e mjaftueshme për ekonomistët, të cilët kërkojnë nga institucionet shtetërore që të fokusohen në adresimin e shkaqeve dhe jo tek pasojat e tij.

“Kosova po ballafaqohet me rritje të inflacionit tash e dy vite, ka një rritje që është e papërballueshme për qytetarët. Kosova varet shumë prej zinxhirëve të furnizimit. Dhe shkaku kryesor që konsideroj është varësia nga importi”, thotë ekonomisti Lulzim Beqiri.

“Situata në Kosovë është vërtet mjaft shqetësuese. Kosovarët afër 20% të të hyrave i shpenzojnë vetëm për bukë, jo për ushqim në aspektin gjeneral. Atë që e blen vitin e kaluar me 100 euro, sot nuk mund ta blesh me 150 euro dhe e tëra kjo po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e standardit të jetesës”, shprehet Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike si dhe ajo e naftës janë të tjera arsye që, sipas ekonomistëve, kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e kostos së jetesës.

“Rritja e çmimit të naftës po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe definitivisht inflacioni është në një shkallë afër 7% – 7.5%, që në rrethanat sociale dhe ekonomike në Kosovë është një goditje për standardin e jetesës së qytetarëve dhe për rritjen e varfërisë ekstreme, e cila mund të jetë një bombë e kurdisur në aspektin social për Kosovën”, shprehet Gërxhaliu.

“Një shtet që nuk ka prodhim të duhur, është e pamundur që të ketë stabilitet ekonomik. Duhet t’i ndihmojnë bizneset prodhuese, në mënyrë që të paktën ta ulim importin dhe të kemi më shumë prodhime vendore”, shton Beqiri.

Deficiti tregtar i Kosovës është rritur për 16.1 për qind në muajin qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 578.3 milionë euro.

Klan News

/tvklan.al