Shumica e të plagosurve të aksidentit në Kroaci do të dalin nga spitali

Gjendja shëndetësore e mbi 20 të plagosurve të aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci është përmirësuar ndjeshëm dhe ata pritet të lënë spitalin. Vetëm dy nga të plagosurit raportohet se janë në gjendje kritike për jetën. Drejtori i Spitalit në këtë qytet, Josip Samarxhiç tha se “dy pacientët janë ende në njësitë e kujdesit intensiv dhe gjendja e tyre po monitorohet nga afër”. Ai gjithashtu bëri të ditur se në orët e paradites, janë kryer shtatë operacione dhe gjendja e pacientëve është e qëndrueshme.

Ndërkohë që në Kosovë flamujt u ulën në gjysmë shtizë pasi presidentja e ka shpallur të hënën ditë zie për viktimat e këtij aksidentit. Ndërsa komuna e Prishtinës ka anuluar për ditën e hënë të gjitha aktivitetet sportive e kulturore. Në nderim të viktimave, me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, është shtyrë për një ditë më vonë edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë që të mbahet të hënën.

Ndryshe presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni dhe do të kthehet në Kosovë. Ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes të dielën edhe kryeministri i vendit Albin Kurti së bashku me disa prej ministrave kanë qëndruar në Kroaci ku dhe kanë vizituar të lënduarit e aksidentit.

Kryeministri bashkë me Ministren e Jashtme janë kthyer në Kosovë, ndërsa në Kroaci po qëndrojnë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme.

Të dielën dhjetë vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod. Autobusi me 67 udhëtarë përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Kosovë.

Tv Klan