Ditën e fundit të afatit kur Kosova duhet të zgjedhë presidentin e saj ose të shkojë në zgjedhje të reja pritej të kishte sërish negociata mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së Bedri Hamza, por asgjë nuk ndodhi. I pari nuk jep detaje për gazetarët.

“Do flasim. Do flasim. Në kuvend e në qeveri”, tha Kurti.   

Ndërsa kreu i PDK-së e bëri të qartë se nuk do të ketë takim me Kurtin pa u votuar më parë edhe në tërësi ndryshimet në ligjin për gjykatën speciale.

“S’ka takim. Nuk do të ketë derisa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për Kosovën, ligji është domosdoshmëri. Nuk janë çështje të lidhura. Le të votohet ligji dhe pastaj jemi të hapur të diskutojmë për tema të tjera”, tha Hamza.  

Hamza paralajmëron se vendi mund të hyjë në situatë të rrezikshme.

“I bëj ftesë Kurtit dhe qeverisë që me pas kujdes të shtuar që të mos prodhohet situatë e tensionuar”, tha Hamza.  

Thirrje për të mbledhur seancën për të votuar ndryshimet në ligjin për specialen bëri edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. 

“Deputetët duhet të vijnë menjëherë të gjithë të votojnë ligjin. Kjo është detyrë që na ka caktuar populli. Kjo është detyra edhe përgjegjësia jonë”, tha Berisha.

Thirrje të forta për të votuar ndryshimet ligjore u bënë edhe në shesh nga protestuesit që janë mbledhur sërish para parlamentit.  

“Nëse nuk e votoni këtë ligj ne do të ju ndjekim këmba këmbës, nuk do të ketë fushatë për ju, nuk do të ketë votime. Në çdo vend do të na gjeni përballë, kjo masë do të ju ndjek. Zgjedhja është e juaja ose votojeni ligjin sot e lajeni faqen tuaj ose shkoni me zgjedhje me turp”, tha Haziri.

Përveç paqartësive politike vendi është futur sërish edhe në paqartësi juridike. Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu i është drejtuar sërish gjykatës kushtetuese duke i kërkuar të sqarojë se kush do të t’i ushtrojë kompetencat e Presidentit pas 6 tetorit kur asaj i mbaron mandati 6-mujor.

Çështja është kush do t’i thërrasë zgjedhjet e reja, që është kompetencë vetëm e presidentit, nëse edhe këtë herë dështon zgjedhja e kreut të ri të shtetit.

/tvklan.al