Kanë mbetur edhe pak orë kur Gjykata e Hagës do të japë verdiktin e saj përfundimtar për katër ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka zgjuar vëmendje të madhe publike në Kosovë.
E për qytetarët e Kosovës në sheshin kryesor në Prishtinë është vendosur ekrani gjigant me orën e pritjes, ku edhe pritet të transmetohet gjykimi nga Haga.

Organizime nuk mungojnë edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Nga autoritetet janë paralajmëruar edhe masa të larta të sigurisë për shkak të tubimeve apo protestave të mundshme dhe bllokimit eventual të rrugëve nga njerëzit.

Ndonëse ende nuk dihet se cili do të jetë verdikti i Gjykatës, pas Shteteve të Bashkuara edhe Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj që ndodhen në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator.

Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme thuhet se për këtë ditë janë planifikuar, tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës.

Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se askush nuk e di verdiktin final që do të shpallet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Këtë konfirmim ajo thotë se e ka marrë edhe nga shefi i EULEX-it me të cilin udhëheqësit e LDK-së zhvilluan një takim.

Katër ish krerët e UÇK-së kanë pothuajse 6 vjet që po ballafaqohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi i kanë hedhur poshtë këto akuza.

/tvklan.al