Shumica e të plagosurve të aksidentit në Kroaci do të dalin nga spitali

Disa të lënduar nga aksidenti që ndodhi të dielën në Kroaci do të vijnë në Kosovë e disa të tjerë do të kthehen për trajtim në Gjermani, ndërsa të lënduarit që janë më rëndë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sfeqla i cili po qëndron atje bashkë me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia.

Ai nuk saktësoi se kur trupat e 10 viktimave të aksidentit do të kthehen në Kosovë duke thënë se kjo varet nga procedurat zyrtare që duhet të kryhen në Kroaci. Ndërsa familjarët e viktimave kanë nisur të presin mysafir për ngushëllime këtu në Kosovë.

Shoferi i dyshuar për shkaktimin e aksidentit tragjik është intervistuar në Prokurori.

Të gjithë flamujt janë ulur në gjysmë shtizë, pasi Presidentja e ka shpallur ditë zie ditën e hënë.

Ndërsa komuna e Prishtinës ka anuluar për ditën e hënë të gjitha aktivitetet sportive e kulturore.

Në nderim të viktimave, me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, është shtyrë  për një ditë më vonë edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë që të mbahet të hënën.

Presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni, dhe do të kthehet në Kosovë.

Ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes të dielën edhe Kryeministri i vendit Albin Kurti së bashku me disa prej ministra kanë qëndruar në Kroaci ku dhe kanë vizituar të lënduarit e aksidentit.

Të dielën 10 vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 udhëtarë përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Kosovë.

Tv Klan