Kosova përballet sot me Austrinë në Vjenë, në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Përballja mes dy skuadrave ka një veçanti historike, pasi Austria dhe Kosova do të takohen për herë të parë në një ndeshje zyrtare ndërkombëtare.

Dardanët vijnë në këtë sfidë pas një nisjeje pozitive në grup, ku triumfuan 1-0 ndaj Irlandës. Goli i fitores u shënua në fund të takimit nga Vedat Muriqi, duke i dhënë Kosovës tre pikë të rëndësishme dhe një sinjal pozitiv.

Një tjetër element që i jep optimizëm përfaqësueses së Kosovës është forma në transfertë. Dardanët kanë fituar tre ndeshjet e fundit zyrtare jashtë shtëpisë, ndërsa në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve triumfuan në të dyja transfertat. Përballë do të jetë një Austri që gjithashtu e ka nisur kompeticionin me fitore.

Në ndeshjen e parë, austriakët mposhtën Izraelin me rezultatin 3-1, duke realizuar dy gola në minutat e fundit të takimit. Në shtëpi, Austria ka ndërtuar një seri prej 15 ndeshjesh pa humbje, çka e bën këtë sfidë edhe më të vështirë për skuadrën e drejtuar nga Franco Foda.

Në qendër të vëmendjes te Dardanët pritet të jenë dy nga emrat kryesorë të repartit ofensiv, Edon Zhegrova dhe Vedat Muriqi. Zhegrova ka shënuar pesë gola me fanellën e përfaqësueses dhe, në të gjitha këto raste, ka qenë autori i golit të parë ose të fundit të ndeshjes, ndërsa Muriqi vjen me moral të lartë pas golit vendimtar në fitoren ndaj Irlandës.

Kosova pritet të ketë në dispozicion pothuajse të gjithë grupin për këtë përballje dhe, në Vjenë, Dardanët synojnë një tjetër rezultat pozitiv për ta vijuar me ambicie të mëdha rrugëtimin në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Klan News

/tvklan.al