I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka bindur qeverinë kosovare që të ulet në tryezën e Brukselit me Serbinë në nivel kryenegociatorësh për çështjen e ndalimit të dinarit. Lajçak u shfaq optimist në Prishtinë pas takimit me ndërmjetësin kosovar, zv/kryeministrin Besnik Bislimi.

“Unë planifikoj që në ditët në vijim të organizoj një takim në nivel të kryenegociatorëve për çështjen e ndalimit të dinarit serb në territorin kosovar. Kjo ishte arsyeja kryesore e vizitës në Prishtinë. Me shefin e ekipit negociator të palës kosovare, u diskutua edhe për hapat e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Besoj se është në interesin e të gjitha palëve të angazhuara që të ketë progres dhe të fillojë zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese. Më e rëndësishmja është marrëveshja bazë. Është marrëveshja më e mirë që ne kemi mundur të arrijmë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë ndaj është në interes të secilës palë që ajo të zbatohet. Në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë”, tha Lajçak.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023. Marrëveshja përmban 11 nene, ndër të tjera aty parashikohet edhe vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, si dhe njohja e ndërsjellë e simboleve shtetërore. Kosova refuzoi me 27 shkurt që të përfaqësohej në nivel politik në takimin e thirrur nga BE-ja për dinarin serb.

BE i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së për dinarin që hyri në fuqi më 1 shkurt. Në zonat e banuara me shumicë serbe në vend, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari për pagat dhe pensionet e financuara nga Serbia.

Klan News