Kosova i ka të gjitha gjasat që të sigurojë sonte kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve dhe të ngjitet një kategori më lart.

Fitorja 5-0 në fushën e Maltës e vendosi në pozita komanduese në grupin 3, pasi ndodhet në vendin e parë me 11 pikë, dy më shumë sesa Azerbajxhani i vendit të dytë.

Do të ketë përballë pikërisht Azerbajxhanin, në sfidën e orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i mjafton një barazim për të realizuar objektivin. Trajneri zviceran, Bernar Shaland gjithsesi është përpjekur të ulë entuziazmin e një grupi lojtarësh pa përvojë.

“Nuk mund të gëzoheshim shumë pas Maltës, kjo pasi finalen e kemi me Azerbajxhanin dhe nuk jemi ende të kualifikuar. Skuadra po luan shumë mirë, në sulm dhe në mbrojtje, por në futboll nuk mund ta mendosh suksesin të sigurt, përpara kohe”

, u shpreh ai.

Ky është edicioni i parë i Kosovës në Ligën e Kombeve, menjëherë pasi mori pjesë për herë të parë në eleminatoret e Kupës së Botës.

Federata e Futbollit e Kosovës u njoh nga UEFA dhe nga FIFA në vitin 2016 dhe ekipi përfaqësues në Ligën e Kombeve ka bërë një përparim shumë të madh, duke pasur një grup shumë të mirë lojtarësh e duke qenë ambicioz në Europianin e ardhshëm.

Tv Klan