Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Poetesha Flora Brovina, anëtare nderi e forumit të shkrimtarëve të Beogradit. Forumi i shkrimtarëve të Beogradit ka pranuar anëtare nderi poeteshën shqiptare Flora Brovina, e cila mbahet në burgjet serbe. Mjekja dhe poetesha Flora Brovina, u rrëmbye në 22 prill të ’99, nga forcat serbe ndërsa ndodhej në shtëpinë e saj në Prishtinë. Pasi u mbajtë disa javë në burgun e Lipjanit në Kosovë, ajo u dergua në burgun e Posharevcit në Serbi ku po vuan dënimin prej 12 vjetësh heqje lirie, sipas një akuze fallso të gjykatës të qytetit të Nishit. Akuza kundër Brovinës ishte pjesmarrje në krime që kanë lidhje me terrorrizmin gjatë luftës.

Ndërkohë një grup shqiptarësh të Kosovës u nxorën para gjykatës të Beogradit nën akuzën e bërë vitin e kaluar për planifikimin e aksioneve diversante terrorriste. Sipas avokatëve mbrojtës të shqiptarëve të Kosovës, të akuzuar për terrorrizëm gjyqet serbe nuk janë gjyqe por farsa gjyqësore. Në burgjet serbe mbahen rreth 7 mijë shqiptarë. Përfaqësuesi i lartë për Kosovën Bernard Kushner është shprehur kundër heqjes së sanksioneve ndërkombëtare ndaj Beogradit pa pasur njoftime të kosovarëve të zhdukur./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori