Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë. Politikanë të të gjitha krahëve e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë, ndërsa kanë bërë thirrje për qetësi, unitet dhe vazhdimin e betejës juridike në shkallën e apelit.
Gjykata e Specializuar në Hagë dënoi me gjithsej 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Presidentja në detyrë dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në një reagim në rrjetet sociale, e cilësoi dënimin si një lajm tejet tronditës për Kosovën dhe një moment të rëndë për kombin shqiptar.
“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme. Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë. Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë. Aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli, as nuk mund ta rishkruajnë atë”, tha Albulena Haxhiu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi vendimin e Gjykatës Speciale si një padrejtësi dhe dëm të madh për Kosovën.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.
Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, tha Albin Kurti.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, pas daljes nga Gjykata e Hagës, e cilësoi vendimin si një gjykim të tmerrshëm për Kosovën.
“Për luftën tonë çlirimtare. Kosova e ka përjetuar vetë luftën, e dimë çka është lufta e UÇK-së dhe ne e dimë që nuk ka pasur farë mekanizmi kriminal për të cenuar asnjë popullatë. Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar. Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës. Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pasur në Serbi, që janë dënuar 15 vjet në mungesë, e kjo gjykatë flet me kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike”, tha Glauk Konjufca.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e cilësoi vendimin si një ditë të zezë për vendin.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot. Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia. Ata iu përgjigjën asaj vullnetarisht, me besimin se e vërteta do të triumfonte. Prandaj, vendimi i sotëm është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Sot, qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë”, tha Bedri Hamza.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se e ka pritur me shqetësim të thellë aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përmasën e dënimeve ndaj tyre.
“LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës. Mbështesim pa rezervë kërkesën për shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe ato të shkallës së dytë. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për qetësi dhe maturi. U kërkojmë përfaqësuesve politikë të tregojnë përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre, të shmangin nxitjen e tensioneve dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe të unitetit qytetar. U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e cilësoi vendimin si të papranueshëm dhe të padrejtë, duke theksuar se UÇK-ja kishte bërë një luftë çlirimtare.
“Vendimi i sotëm me dënim është i papranueshëm, i padrejtë. UÇK-ja bëri luftë të drejtë çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë. Jo në emrin tim, jo në emër të popullit të Kosovës vendim dënues për UÇK-në. Shqiptarë kudo që jeni, për Kosovën dhanë jetën njerëzit më të çmuar të kombit tonë. Nuk kemi atdhe tjetër. S’kemi vend tjetër. Ju ndihmojmë armiqve nëse dëmtojmë pronën e Kosovës, jetën e njerëzve tanë. Nëse e shkatërrojmë Kosovën, i ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, tha Ramush Haradinaj.
Një reagim të fortë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës pati edhe Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, i cili e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund. Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, tha Ali Ahmeti.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 