Në një intervistë të fundit për emisionin “Pro Business” në Tv Klan, znj. Anisa Liko, përfaqësuese e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe e Departamentit të Menaxhimit të Produkteve pranë Tirana Bank, sqaroi një sërë çështjesh që preokupojnë qytetarët dhe bizneset lidhur me komisionet bankare.
Znj. Liko deklaroi se, megjithëse bankat komunikojnë dhe shkëmbejnë përvoja mes tyre, nuk ekziston asnjë standard i përbashkët apo tarifë e unifikuar e diktuar nga industria, pasi kjo do të binte ndesh me ligjin e konkurrencës. Sipas saj, secila bankë i përcakton tarifat dhe komisionet bazuar në modelin e vet të biznesit, kostot operative, investimet në teknologji, rrjetin e ATM-ve dhe strategjinë tregtare.
Perceptimi që të gjitha bankat kanë komisione thuajse identike vjen nga fakti që ato operojnë në të njëjtin treg, me të njëjtat rregulla dhe rregullatorë, si dhe me të njëjtat skema kartash (Mastercard dhe Visa), të cilat paguhen pothuajse njëlloj nga të gjitha bankat. Gjithashtu, tregu shqiptar është i kufizuar, gjë që nuk lë hapësirë për diferencime të mëdha në komisione.
Lidhur me tarifën e shkëmbimit për pagesat me kartë, ajo theksoi se nuk ekziston një tarifë mesatare e vetme, pasi ajo ndryshon në varësi të skemës së kartës (Visa apo Mastercard), produktit të kartës (debiti, krediti, premium), llojit të transaksionit (ATM, POS, online) dhe kategorisë së tregtarit.
Znj. Liko vuri në dukje se bankat në shumicën e rasteve mbartin vetë kosto të konsiderueshme për tregtarët, pa ia kaluar atyre, për shembull, terminali POS jepet pa kosto fillestare, disa banka nuk ngarkojnë mirëmbajtje, ndërsa për tregtarët sezonalë bankat paguajnë kostot e mirëmbajtjes gjatë gjithë vitit, edhe pse terminalet përdoren vetëm disa muaj. Kjo për shkak se sistemet operative dhe infrastruktura pas çdo transaksioni kërkojnë investime dhe monitorim të vazhdueshëm.
Sa i përket kostos reale të një tërheqjeje në ATM, përfaqësuesja e Shoqatës Shqiptare të Bankave tha se nuk është vetëm momenti i daljes së kartëmonedhës, por përfshin vendndodhjen e ATM-së, frekuencën e furnizimit, kostot e licencimit, mirëmbajtjen, sigurimin fizik dhe kibernetik (monitorim 24/7, mbrojtje nga mashtrimet), si dhe investimet e mëdha në teknologji.
Kur një qytetar tërheq para në ATM të bankës së tij, është një rreth i ngushtë operimi, por kur tërheq në një bankë tjetër, rrjeti zgjerohet dhe shtohen kostot e skemave Visa dhe Mastercard, të cilat bankat i pasqyrojnë në komisione për të mbuluar shpenzimet operacionale dhe për të inkurajuar përdorimin e rrjetit të tyre.
Znj. Liko informoi se Banka e Shqipërisë po punon për një rregullore të re për tarifat e shkëmbimit për transaksionet me kartë brenda territorit shqiptar, e cila pritet t’i ulë këto tarifa dhe të çojë në rishikimin e komisioneve për klientët dhe tregtarët.
Në krahasim me rajonin dhe Bashkimin Europian, znj. Liko theksoi se nuk mund të thuhet nëse Shqipëria është më e shtrenjtë apo më e lirë, pasi krahasimet duhet të bëhen produkt për produkt. Ajo përmendi se në Kosovë përdorimi i kartave është më i gjerë (më shumë se një kartë për banor), ndërsa në Shqipëri është më pak se një kartë për banor, dhe se Kosova përdor euron, ndërsa Shqipëria lekun, gjë që ndikon për shkak të kursit të këmbimit.
Me hyrjen në zonën SEPA, transaksionet ndërkufitare janë ulur, por Shqipëria ende nuk është brenda kuadrit të plotë europian që vendos tavane për komisionet, megjithëse ka bërë përparime.
Duke folur për të ardhmen, përfaqësuesja e Shoqatës së Bankave theksoi se politikat e bankave do të vazhdojnë të bazohen në produktet e reja, kostot operative dhe investimet në siguri. Ajo evidentoi se në horizont priten zhvillime të rëndësishme që do të ulin kostot: sistemi i ri i pagesave të menjëhershme (IPS), që do të hyjë shumë shpejt në treg dhe do të mundësojë transferta instant me kosto më të ulëta, si dhe ndryshimet në rregulloren e Bankës së Shqipërisë për tarifat e shkëmbimit ndërbankar brenda vendit.
/tvklan.al












Botërori 2026 