06 nëntor 2026– Një shumicë dërrmuese e qytetarëve gjermanë shprehen në mbështetje të protestave të zhvilluara së fundmi nga të rinjtë, të cilët kërkojnë më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm dhe masa për lehtësimin e kostove të jetesës.

Këto janë të dhënat e një sondazhi të publikuar të enjten në mbrëmje nga transmetuesi publik ARD-së.

Sipas anketimit, 82 për qind e të pyeturve mendojnë se politika tradicionale nuk po u kushton vëmendjen e duhur shqetësimeve të brezit të ri.

Ndërkohë, nëntë në dhjetë gjermanë e konsiderojnë pjesëmarrjen në protesta një formë legjitime të shprehjes së mendimit politik. Megjithatë, rreth dy të tretat kundërshtojnë bllokimin e rrugëve gjatë demonstratave.

Sondazhi vjen pas mobilizimit të dhjetëra mijëra të rinjve në më shumë se 30 qytete gjermane gjatë fundjavës, në kuadër të thirrjes së nismës “Gen Z regelt”.

Organizatorët kanë njoftuar se protesta e radhës do të mbahet më 20 nëntor. Kërkesat e tyre përfshijnë rritjen e financimit publik për shkollat, sigurimin e banesave me çmime të përballueshme, më shumë drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës. Gjithashtu, ata kundërshtojnë planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Mbështetja e gjerë për demonstratat shoqërohet me një distancim gjithnjë e më të madh të votuesve të rinj nga partitë që përbëjnë qeverinë.

Të dhënat tregojnë se qytetarët e moshës 18 deri në 34 vjeç po largohen nga aleanca konservatore CDU/CSU e kancelarit Friedrich Merz dhe partnerja e saj në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), duke u orientuar drejt forcave politike në skajet e spektrit.

Në këtë grupmoshë, Partia e Majtë kryeson me 29 për qind sa i përket besimit për trajtimin e çështjeve të të rinjve, e ndjekur nga partia e djathtë AfD me 21 për qind. Ndërsa Të Gjelbrit kanë marrë 12 për qind, CDU/CSU vetëm 5 për qind dhe SPD 3 për qind.

/tvklan.al