Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kreu i KQZ-së Celibashi ka ndarë zyrtarisht mandatet për deputetët e rinj të Tiranës që do të ulen në shtator në organin më të lartë ligjvënës.
Partia Socialiste ka siguruar 19 mandate deputetësh në parlament, duke ruajtur pozicionin dominues si partia e parë edhe në kryeqytet. Bie në sy fakti se për herë të parë kryeministri Rama do të jetë deputet i Tiranës, ndërsa në Kuvendin e ri do të ulen krah tij për herë të parë: Adea Pirdeni, Albana Koçiu, Igli Hasani, Delina Ibrahimaj, Ilva Gjuzi, Iris Luarasi, Erion Malaj, Blendi Gonxhja, Ervin Hoxha dhe Anila Denaj.
Kanë arritur të rikonfirmohen: Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Ornaldo Rakipi, Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali, Lindita Nikolla dhe Taulant Balla. Nuk do të jenë më deputetë të PS-së: Arben Ahmetaj, Etjen Xhafaj, Alqi Bllako, Xhemal Qefalia, Etilda Gjonaj.
Ndërkohë, koalicioni opozitar Aleanca për Shqipërinë Madhështore (KASHM), që drejtohet nga Partia Demokratike, ka marrë 13 mandate deputetësh. Për herë të parë opozitën në kryeqytet do ta përfaqësojnë si deputetë: Besart Xhaferi dhe Tedi Blushi.
Janë sërish në karriget e opozitës në parlament: kreu i saj Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, e rikthyera pas shumë vitesh: Jozefina Topalli, Fatmir Mediu, Edi Paloka, Erisa Xhixho, Mesila Doda, Klevis Balliu.
E vetmja deputete që u zgjodh nga lista e mbyllur e opozitës në Tiranë është Jorida Tabaku. Për çështjen e mandatit të Nismës “Shqipëria Bëhet”, KQZ do të vendosë më vonë pas polemikave mes krerëve të këtij koalicioni.
Edhe për PSD-në, e cila kërkoi nga KQZ-ja anulimin e listës së mbyllur të kandidatëve të saj për deputetë, do të vendoset në një mbledhje tjetër.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 