Marrja e kredive për të përballuar konsumin, blerjet përtej mundësive ekonomike dhe rreziku i futjes në borxhe të vazhdueshme janë disa nga problematikat sociale për familjet shqiptare.
Në një diskutim mbi marrëdhënien e qytetarëve me kredinë këtë të martë, më 3 nëntor, në emisionin “Aldo Morning Show”, eksperti i ekonomisë, Adrian Civici paralajmëroi se mungesa e edukimit financiar dhe presioni për të ndjekur standardet e luksit po i shtyjnë shumë individë drejt vendimeve që mund të kthehen në drama familjare.
Ai theksoi se një nga gabimet më të mëdha është përqendrimi te vlera mujore e këstit, pa llogaritur koston përfundimtare të kredisë dhe pasojat që mund të ketë ajo në buxhetin familjar.
Eksperti paralajmëroi për rrezikun e familjeve që marrin një kredi të dytë për të shlyer të parën, duke e cilësuar këtë praktikë si një cikël nga i cili bëhet gjithnjë e më e vështirë të dalësh.
“Ndërsa për individët dhe për familjet, po u futën në këtë rrethin që të marrësh kredi për të shlyer kredinë, çmimi i asaj kredie ka një rritje marramendëse dhe është shkatërruese për shumë familje dhe për shumë individë. Unë nuk do ta rekomandoja absolutisht një veprim të tillë, sepse nuk del dot më nga ai qark i mbyllur dhe nga ai rreth pastaj.”
Një tjetër problematikë është krijimi i një imazhi të rremë të mirëqenies, përmes blerjes së mjeteve apo produkteve luksoze me kredi. Sipas ekspertit, qytetarët shpesh ndikohen nga reklamat dhe modelet e luksit që shohin në rrjetet sociale, duke harruar se pas këtyre blerjeve fshihen detyrime afatgjata.
“Kjo është pjesa më e rëndësishme dhe më delikate. Çfarë do të thotë të jetosh mirë? Domethënë, të jetosh mirë brenda disa standardeve apo të jetosh mirë në qoftë se krahasohesh me ata që janë simbol i jetës së luksit dhe simbol i jetës së mirë me Instagramin? Kështu që, në këtë aspekt, do të thoja biem të gjithë viktimë edhe të reklamave. ‘Blije sot, mos e lër të ardhmen tënde për nesër, me një klik mund të bëhesh i pasur, mund të kesh atë që do’. Dhe natyrisht kjo është një joshje ku arsyetimi dhe logjika e gjithkujt fillojnë të ndërpriten.”
Sipas tij, përpara marrjes së kredisë, qytetarët duhet të kuptojnë të gjithë procesin, nga kolaterali dhe garantorët deri te interesat dhe shuma përfundimtare që do të paguajnë. Eksperti paralajmëroi se në disa raste, për shkak të kushteve dhe interesave të shpërndara në kohë, kredia mund të rezultojë 50% deri në 80% më e shtrenjtë se shuma e marrë fillimisht.
“Duhet të kuptojë mirë kushtet e kësaj kredie, sa janë këstet, sa është përqindja dhe të marrë mundimin të bëjë dhe një llogari, sepse ty mund të të thonë tre vitet e para s’ke interes, pastaj ke kaq përqind. Po të bësh një llogari, në fund del që ajo kredi është 50% ose edhe 80% më e shtrenjtë sesa shuma që ke marrë fillimisht, vetëm se është e shtrirë në kohë dhe në një sistem tjetër. Dhe nëse njerëzit nuk janë të vëmendshëm, thjesht u duhen paratë dhe pyesin: ‘A mund t’i marr këto, ku të vë firmën?’, pastaj pasojat vijnë të gjitha nga mbrapa.”
Eksperti nënvizoi se kredia nuk duhet refuzuar kategorikisht, pasi mund të jetë një instrument i rëndësishëm për individët dhe bizneset, megjithatë, përdorimi i saj kërkon maturi, planifikim dhe edukim financiar.
/tvklan.al












Botërori 2026 