Kjo ditë shënon hyrjen në javën e shenjtë para të Dielës së Pashkëve

Në prag të nisjes së javës së madhe të shenjtë, besimtarët e krishterë katolikë festuan të Dielën e Larit, e cila kremtohet 1 javë para festës së Pashkës. Besimtarë të shumtë u mblodhën në oborrin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, në një ceremoni që u drejtua nga Imzot Arjan Dodaj ku bekoi degët e larit, ullirit dhe palmave.

Pas kësaj ceremonie besimtaret bënë ecje nga oborri i katedrales në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë brenda saj.

Për Klan News Arqipekshvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj përcolli mesazhin e tij në javën e rëndësishme para Pashkëve.

Imzot Arjan Dodaj: Sot besimtarët katolikë fillojnë javën e madhe të shenjtë në të cilën Jezusi përjeton mundimet e tij me vdekjen në kryq, ballafaqohet me atë misterin e varrit. Por aty forca hyjnore na dhuron hijen e ringjalljes, me Krishtin ringjallemi të gjithë. Për këtë ne të krishterët jemi të lumtur sepse është feja e shpresës, as vdekja nuk e ka fjalën e fundit përballë jetës së Zotit në ne, kështu që uroj të gjithë katolikët që e përjetojnë këtë javë të madhe me shumë besim.

Imzot Arjan Dodaj bëri edhe një ftesë për të Premten që do të zhvillohet “Udha e Kryqit” në Tiranë.

Imzot Arjan Dodaj: Të Premten e madhe me datë 29 do të kemi në sheshin “Nënë Tereza” Udhën e Kryqit. Shumë besimtarë vitin e kaluar kanë qenë pjestarë në këtë kolose, ju ftoj të gjithëve të marrim pjesë.

Ceremonia e të Dielës së Larit u mbajt edhe në Katedralen e “Shën Nikollës” në Lezhë ku morën pjesë qindra besimtarë katolikë.

Fundjavën e ardhshme më 31 Mars, në Shqipëri dhe në të gjithë botën kremtohet E Diela e Pashkës Katolike, e cila shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.

Klan News