Një stuhi e fortë diellore pritet të godasë sonte Tokën. Kështu ka njoftuar NOAA (Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor), e cila thekson se kemi të bëjmë me një stuhi gjeomagnetike që ndodh herë pas here dhe vjen pas një seri “shpërthimesh diellore” e nxjerrje masive koronale të cilat kanë potencialin të krijojnë aurora verbuese që mund të shihen deri në Alabama dhe Kaliforninë Veriore.

Kjo lloj stuhie ndodh zakonisht kur shpërthimet diellore shkaktojnë ndryshime në erën diellore e cila godet magnetosferën e planetit Tokë. Në rastin më të mirë shkaktojnë aurora magjepsëse të padëmshme pasi grimcat e ngarkuara nga Dielli përplasen me grimcat në atmosferën e Tokës.

Por në rastin më të keq, stuhitë mund të prishin sistemet e navigimit me bazë në Tokë si GPS, të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike apo probleme me komunikimet në radio e satelitore.

Është hera e parë që nga Janari i vitit 2005, që NOAA jep një sinjal të tillë. Ekspertët thonë se stuhia pritet ditën e sotme dhe të Dielën, më 12 Maj.

Sipas një grafiku të publikuar, disa shpërthime diellore të ndodhura gjatë javës që shkoi janë shoqëruar me një grup të madh njollash diellore, 16 herë më të gjera në sipërfaqe sesa planeti ynë.

Që nga fillimi i ciklit diellor në Dhjetor 2019, NOAA ka vëzhguar tre stuhi të rënda gjeomagnetike, më e fundit ishte në Mars 2024. Edhe në Tetorin e kaluar, stuhia shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në vendet skandinave dhe Afrikën e Jugut. (Njoftimi i NASA-s për një shpërthim të fortë diellor më 9 Maj)

Një shpërthim diellor i kapur nga NASA-s më 14 Tetor 2014.

Intensiteti i Diellit rritet dhe bie gjatë një cikli 11-vjeçar. Siç është parashikuar nga shkencëtarët, ylli ynë disi i paparashikueshëm mund të krikojë probleme te operatorët satelitorë dhe infrastruktura të tjera në hapësirë, por jo vetëm kaq…

Ata shpresojnë që këto lloj stuhish të shkaktojnë vetëm aurora të bukura, pa ndonjë kaos infrastrukturor./tvklan.al