Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona si bashkëpunëtor në vrasjen e dy të rinjve mbrëmjen e së hënës në Velipojë. Në pranga janë vënë: Marjo Pali dhe Zyber Zagradi, ky i fundit mbeti i plagosur në këmbë nga të shtënat me armë.
Ata janë punonjës të hotelit ku ndodhi krimi ndërsa policia vijon të jetë në kërkim të autorëve të dyshuar: vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku. Policia gjithashtu ka marrë në pyetje edhe disa persona, dëshmitarë në këtë krim.
Konflikti mes dy të rinjve dhe pronarëve të hotelit nisi më 28 qershor. Në hotelin në pronësi të familjes Frroku pati një sherr mes kuzhinierit dhe kamarierit.
Në ndihmë të këtij të fundit doli Ersild Ishmi i cili kërcënoi me pistoletë kuzhinierin. Ai u arrestua nga policia ndërsa gjykata vendosi për të masën arrest shtëpie. Mbrëmjen e kësaj të hëne ai shkoi sërish me kunatin e tij, Arsid Hoxhën në hotelin e vëllezërve Frroku.
Gjatë konfliktit, ata janë qëlluar me armë e për pasojë mbetën të plagosur. Rreth një orë më pas humbën jetën në spital për shkak të plagëve të marra.
Në emër te familjes Frroku, ka reaguar xhaxhai i dy vëllezërve, që janë në kërkim, Zef Frroku, duke akuzuar drejtësinë se liroi Ersild Ishmin pas ngjarjes se ndodhur në muajin Qershor.
Zef Frroku, xhaxhai i autoreve: Ai prokuror, ai gjykatës që e ka lëshuar nuk ka bërë mirë as për ne e as për familjen e tij. Rrezik për ne, për familjen e tij dhe për shtetin, që favorizon ata kriminelë, që vijnë këtu edhe bëjnë terror.
Për mediat, xhaxhai tha se nuk ka dijeni ku ndodhen nipërit e tij dhe se nuk dihet ku ndodhen ata.
Klan News