Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar aleatët evropianë se po përpiqen të shantazhojnë Kievin për të rihapur një tubacion që transporton naftën ruse në Hungari dhe Sllovaki.
Ai tha se rivendosja e rrjedhës së naftës bruto të Moskës përmes Ukrainës në Bashkimin Evropian do të ishte si heqja e sanksioneve ekonomike ndaj Moskës.
“Po e them hapur: Jam kundër kësaj. Por nëse më vendosen kushte që Ukraina të mos marrë armë, atëherë, më falni, jam i pafuqishëm në këtë çështje. U thashë miqve tanë në Evropë se kjo quhet shantazh”, deklaroi Zelensky.
BE-ja i ka kërkuar Zelensky-t që ta riparojë shpejt tubacionin e dëmtuar nga lufta dhe po i kërkon atij të lejojë inspektorët të hyjnë për të vizituar dëmet. Disa zyrtarë të BE-së kanë frikë se rezistenca e Zelensky-t mund ta ndihmojë Orbanin të fitojë zgjedhjet e radhës.
Hungaria, e cila varet nga energjia ruse, po bllokon si sanksionet e reja të bllokut ndaj Moskës, ashtu edhe një kredi jetësore prej 90 miliardë eurosh për Kievin, derisa të rihapet tubacioni.
Ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orban e ka bërë armiqësinë ndaj Ukrainës një çështje kyçe përpara zgjedhjeve të prillit.
Komentet e Zelensky-t vijnë pasi SHBA-të lehtësuan sanksionet që u ndalonin vendeve të tjera të blinin naftë ruse, me qëllim lehtësimin e krizës së furnizimit me energji të shkaktuar nga lufta SHBA-Izrael me Iranin.
Vetë europianët e kanë kritikuar SHBA-në për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 