Presidenti i ri i Iranit, Massoud Pezeshkian, është vënë në qendër të kritikave nga mediat konservatore iraniane, pas deklaratave të tij të fundit për mundësinë e rifillimit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë të transmetuar dje me gazetarin amerikan Tucker Carlson, i njohur për afërsinë e tij me Donald Trump, Pezeshkian u shpreh se Irani “nuk ka asnjë problem” të rikthehet në tryezën e dialogut me SHBA-në, edhe pas sulmeve ajrore të qershorit mbi objektet bërthamore iraniane.

Qëndrimi i tij ka shkaktuar reagime të forta nga mediat afër linjës së ashpër. Gazeta Kayhan, e njohur për retorikën kundër Perëndimit dhe drejtuar nga një përfaqësues i caktuar nga vetë udhëheqësi suprem Ali Khamenei, shkruan: “A është e drejtë të ulesh pa kushte në një tryezë me ata që kanë hedhur bomba mbi popullin tënd?”.

Sipas mediave iraniane, më 22 qershor, SHBA-të dhe Izraeli bombarduan objektet bërthamore në Fordow, Isfahan dhe Natanz. Shkalla e dëmeve mbetet ende e panjohur. Ndërkohë, sipas një raporti të televizionit shtetëror, mbi 1.000 persona kanë humbur jetën gjatë një konflikti 12-ditor të nisur më 13 qershor, pas një sulmi të papritur të ushtrisë izraelite, ku morën pjesë edhe forca amerikane.

Edhe gazeta tjetër konservatore Javan kritikoi presidentin për qëndrime “tepër të sjellshme” ndaj një armiku të përbetuar. Në të kundërt, gazeta reformiste Ham Mihan e ka përshëndetur intervistën, duke e quajtur një hap pozitiv: “Kjo bisedë me mediat amerikane duhej të ishte bërë prej kohësh. Fatkeqësisht, zyrtarët iranianë kanë munguar për një periudhë të gjatë në skenën ndërkombëtare të komunikimit”.

Massoud Pezeshkian, i cili u zgjodh me premtimin për të rihapur kanalet e komunikimit me Perëndimin dhe për të lehtësuar sanksionet që rëndojnë mbi ekonominë iraniane, duket se po përballet me një betejë të vështirë mes presionit të brendshëm dhe përpjekjeve për dialog me jashtë.

/tvklan.al