Mes krizës së strehimit në Spanjë, disa banorë po veprojnë ndryshe nga të tjerët në Barcelonë dhe kanë filluar të jetojnë së bashku. I vendosur në Carrer del Pla dels Cirerers, në këtë ndërtesë tetë katëshe jetojnë 32 familje që nga viti 2022. Kjo mënyrë përfaqëson një model të pronësisë kolektive që i jep përparësi kostove të ulta.

Banorët ndajnë, jo vetëm hapësirat e jetesës, por edhe përgjegjësitë e jetesës së përbashkët.

Ky model i bashkëjetesës kolektive jep të drejta afatgjata të strehimit dhe parandalon rishitjen e objektit, duke ofruar stabilitet në një treg ku vlerat e pronave kanë arritur shifra të frikshme.

Angela Garcia, pedagoge universiteti, por edhe banore në këtë ndërtesë, thotë se kjo qasje i lejon individët të kursejnë para.

“Një model si ky mund të ndryshojë jetën tuaj për mirë, duke ju lejuar të kurseni shumë më tepër para. Strehimi bëhet më i përballueshëm, duke ju lënë më shumë para për jetën tuaj të përditshme. Gjithashtu e bën jetën në një qytet të madh si Barcelona, të mbushur me njerëz ndonjëherë armiqësor, ​​një përvojë shumë më të këndshme”, u shpreh Angela Garcia.

Ajo shpjegon hapësirat e këtij objekti.

“Kjo është dhoma e Marinës, e cila është dhoma me shumë qëllime që ka një kuzhinë dhe tavolina ku mund të kryejmë aktivitete në komunitet. Të gjithë kanë kuzhinën e tyre, por këtu ne ndajmë hapësirën dhe darkojmë herë pas here me të gjithë fqinjët”, shtoi Garcia.

Një rol të rëndësishëm në këto përpjekje për të përballuar krizën e strehimit është Lacol, një kompani e cila në përbërjen e saj ka një grup arkitektësh me qendër në lagjen Sants të Barcelonës që nga viti 2009. Lacol po udhëheq përpjekjet në përdorimin e arkitekturës si një instrument kryesor për të nxitur mjedise jetese të qëndrueshme dhe të orientuara nga komuniteti.

Qasja e Lacol-it orientohet rreth konceptit të strehimit kolektiv, të cilin ata e paraqesin si një strategji për të trajtuar çështjen e strehimit. Arkitektët përmes modelit të tyre pasqyrojnë një hap inovativ larg modeleve konvencionale të qiradhënies ose blerjes së banesave.

Shumë qytetarë e kanë përqafuar këtë model të ri.

“Kur jeton në një mjedis të tillë të duhet ti kushtosh pak më shumë kohë komunitetit. Duhet të marrësh pjesë periodikisht në mbledhje, por mendoj se në të njëjtën kohë në fund të fundit është pozitive sepse ajo që arrihet është një model krejt tjetër jetese. Është një model shumë më i përqëndruar te komuniteti”, është shprehur Jaume Osete.

Kjo risi për strehimin ka demonstruar përfitime të dukshme, duke prodhuar banesa të përshtatura më mirë për nevojat e vërteta të banorëve. Këto zgjidhje bashkëpunuese të strehimit i shmangen formateve të standardizuara të drejtuara nga tregu, duke rezultuar në hapësira jetese të adaptueshme me kalimin e kohës, me komoditete të përbashkëta që promovojnë forma të ndryshme të bashkëjetesës.

“Strehimi kolektiv është një alternativë ndaj blerjes dhe marrjes me qira së banesave. Njerëzit që jetojnë këtu nuk i kanë shtëpitë e tyre individualisht, por kolektivisht, pasi janë të gjithë pronarë të objektit. Këto janë shtëpi nën çmimin e tregut dhe kjo do të thotë se ato janë shumë më të përballueshme se shtëpitë tradicionale. Njerëzit që jetojnë këtu kanë të drejtë të përdorin shtëpitë e tyre gjatë gjithë jetës së tyre dhe të ndajnë hapësirat e komunitetit, kostot e shërbimeve, shërbimet, etj. E gjithë kjo do të thotë se në fund shtëpia është shumë më e përballueshme”, thotë Jose Tellez.

Në një vend ku mosha mesatare e blerësve për herë të parë të një shtëpie është rritur në 41, sipas një hulumtimi nga uebsajti real shtetëror Fotocasa, Jordi Carbo me profesion arkitekt thotë se ky model është një zgjidhje e mirë për krizën e strehimit.

“Një nga pikat kyçe të modelit që ne, si arkitektë, kemi promovuar prej vitesh është dalja e banesave nga tregu. Dhe ky model priret drejt kësaj. Që nga momenti që prona është në pronësi kolektive dhe e lidhur drejtpërdrejt me komunitetin, çdo përdorues nuk mund ta shesë njësinë e banimit, por ka një të drejtë përdorimi tashmë të ngjashme si ajo e një banese me qira”, tha Jordi Carbo.

Spanja është bërë shpeshherë epiqendra e protestave të shumta. Sipas mijëra protestuesve të cilët kanë dalë në rrugët kryesore të qyteteve më të njohura spanjolle turizmi masiv, është shkaktari për rritjen stratosferike të çmimit të qirave dhe të kostove të jetesës.

Në Janar u zbulua se Madridi zyrtar po planifikon që të vendosë një taksë 100% të vlerës së pronës që blihet nga banorët jo-rezidentë nga vende jashtë BE-së.

Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës, kur njoftoi këtë vendim tha se masa e “paprecedentë” bëhet për të adresuar emergjencën e shtëpive në vend.

“Perëndimi përballet me një sfidë vendimtare, që të mos bëhemi një shoqëri e ndarë në dy klasa, me pronarë të pasur dhe qiramarrës të varfër”, tha Sanchez.

Banorët jo rezidentë jashtë BE-së blenë 27 mijë prona në Spanjë në vitin 2023. Sipas Sanchez, ata e bënë këtë jo për të jetuar në këto ndërtesa, por për të bërë para prej tyre.

“Diçka, që duke parë edhe kontekstin e mungesave që kemi sot, nuk mund ta lejojmë”, tha ai.

Lëvizja e qeverisë bëhet për t’u dhënë prioritet banorëve spanjollë, sipas Sanchez, i cili nuk dha detaje se si do të funksionojë kjo tarifë. Po ashtu mbetet e paqartë se si do ta kalojë në parlament ligjin, ku së fundmi Sanchez nuk ka mundur dot të kalojë ligje të ndryshme.

Klan News