Kryeministri italian Mario Monti ka paralajmëruar në një intervistë për gjermanen Der Spiegel për një thyerje psikologjike, nëse vendet e Eurozonës nuk ndërmarrin hapa më të shpejtë dhe më të vendosur për tejkalimin e krizës aktuale.

Shpërbërja e Eurozonës, ka vazhduar ai, do të çonte pa diskutim në shkatërrimin e projektit 60-vjeçar të një Evrope të Bashkuar, ndaj është në dorën e liderëve që t’i shpjegojnë publikut realitetin e krizës dhe të mos bien në paragjykime.

Monti, një ish-komisioner në Bashkimin Evropian, është konsideruar një lloj “zjarrfikësi” në situatën e marrëdhënieve jo të qeta mes 4 vendeve më të rëndësishme të Eurozonës, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës.

Ka qenë pikërisht kryeministri italian nxitësi kryesor për gjetjen e gjuhës së përbashkët dhe arritjen e akordeve në samitin e fundit të liderëve evropianë në Bruksel, në fundin e muajit Qershor.

Edhe guvernatori i Bankës së Italisë, Ignazio Visco, ka mbështetur Montin në një analizë të ekonomisë italiane, sipas së cilës ajo ka vështirësi, por nuk ka ende nevojë për ndonjë paketë ndihme të ngjashme me ato të Greqisë, Portugalisë, Irlandës dhe, së fundi, Spanjës.

Edhe si një përgjigje pozitive për përpjekjet e tij nga Athina specialistët e Trojkës kanë deklaruar se kanë mbetur mjaft të kënaqur nga inspektimi i gjatë dhe arritja e marrëveshjes për shkurtimet e mëtejshme prej 11.5 miliardë eurosh në buxhetin e këtij vendi.

Trojka ka deklaruar se do të rikthehet në Greqi në ditët e para të muajit shtator, me një raport dhe agjendë të qartë për masat që duhet të zbatojë qeveria Samaras, në mënyrë që të lëvrohet fondi prej 31.5 miliardë eurosh i paracaktuar për financat e këtij vendi./tvklan.al

/tvklan.al