Për Donald Trump nuk ka qetësi në frontin e Bankës Qendrore amerikane. Sulmi i tij ndaj presidentit të Rezervës Federale, Jerome Powell, për kontrollin e normave të interesit është shndërruar në një humbje të rëndë personale, e cila mund të vonojë edhe emërimin e kandidatit të tij për pasardhës në krye të bankës qendrore, Kevin Warsh.

Në një artikull të Corriere della Sera, analizohen zhvillimet e fundit, se si një betejë politike e nisur mbi baza personale mund të kthehet në një problem institucional me pasoja për ekonominë dhe politikën amerikane.

Mbrëmjen e kaluar një gjykatës federal në Washington, James E. Boasberg, bllokoi kërkesën për ta detyruar Powell të paraqitej para një jurie të madhe dhe për të dorëzuar dokumente të rezervuara të bankës qendrore, siç kishte kërkuar Departamenti i Drejtësisë.

Në një vendim prej 27 faqesh, Boasberg kritikoi ashpër përpjekjen për të hetuar kreun e Fed-it. Sipas tij, ka prova të mjaftueshme se qëllimi kryesor i këtij veprimi ishte ushtrimi i presionit ndaj Powell që të ulte normat e interesit ose të jepte dorëheqjen për t’i hapur rrugë një drejtuesi tjetër më të afërt me kërkesat e presidentit.

Gjykatësi theksoi gjithashtu se qeveria nuk ka paraqitur prova konkrete për ndonjë krim të kryer nga Powell, përveç faktit që vendimet e tij nuk kanë kënaqur presidentin.

Përplasja politike bllokon edhe emërimin e Warsh

Paradoksalisht, ky vendim mund të kishte qenë një rrugëdalje për Trump nga një situatë e vështirë politike, pasi Senati po bllokonte emërimin e Warsh në krye të Federal Reserve.

Megjithatë, administrata vendosi të apelojë vendimin, duke rritur tensionet politike dhe duke vënë në rrezik edhe konfirmimin e kandidatit të saj.

Kur emërimi i Warsh u dorëzua zyrtarisht më 4 mars, senatori republikan Tom Tillis, kryetar i Komisionit Bankar në Senat, njoftoi se do të bllokonte procesin e konfirmimit dhe dëgjesat parlamentare derisa të përfundojë hetimi penal ndaj Powell.

Sipas tij, mbrojtja e pavarësisë së bankës qendrore nga presionet politike nuk është e negociueshme. Tillis deklaroi se do të kundërshtojë konfirmimin e çdo kandidati për Fed-in, përfshirë edhe për postin e presidentit, derisa hetimi ndaj Powell të përfundojë në mënyrë të plotë dhe transparente.

Pasiguri për drejtimin e Fed-it

Situata krijon një pasiguri të madhe për të ardhmen e bankës qendrore amerikane. Mandati i Powell si president i Fed-it përfundon më 15 maj dhe ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë më pas.

Gjithashtu nuk dihet nëse ai do të qëndrojë në bordin drejtues të bankës, mandat i cili zgjat deri në vitin 2028.

Lufta në Iran dhe çmimi i naftës komplikojnë politikën monetare

Kriza institucionale vjen në një moment delikat për ekonominë globale. Lufta në Iran ka shkaktuar një rritje të fortë të çmimeve të naftës, duke rrezikuar të ndikojë drejtpërdrejt në inflacion.

Kjo situatë mund të vërë në dyshim edhe premtimin e mundshëm për uljen e normave të interesit, një hap që Trump e ka kërkuar prej kohësh.

Analistët e bankave të mëdha amerikane, përfshirë Goldman Sachs, vlerësojnë se edhe nëse Warsh do të merrte drejtimin e Fed-it, ai mund të shtyjë çdo ulje të normave deri në shtator për të kuptuar më mirë ndikimin e luftës dhe të çmimeve të energjisë në inflacion.

Inflacioni mbetet mbi objektiv

Të dhënat e fundit tregojnë se inflacioni në SHBA-të për muajin shkurt ishte rreth 2.4%, më i ulët se 2.7% në dhjetor, por ende mbi objektivin prej 2% të Fed-it.

Ndërkohë, rritja e çmimeve të energjisë dhe kërcimi i kostos së naftës, që sipas disa vlerësimeve është rritur mesatarisht rreth 35%, mund të ndikojnë në shumë sektorë të ekonomisë, nga transporti dhe industria deri te tregu imobiliar dhe bujqësia.

Sipas International Energy Agency, tregu global i naftës po përballet me një ndërprerje shumë të madhe të furnizimit, me pasoja të mundshme në inflacion në muajt e ardhshëm.

Presioni politik mbi Fed-in

Në këtë klimë pasigurie ekonomike dhe përplasjesh politike, administrata Trump përballet me kritika në rritje nga gjykatat, nga disa republikanë në Kongres dhe nga opinioni publik, i cili sheh në këtë përplasje një rrezik për pavarësinë e institucioneve amerikane.

Nëse kriza politike vazhdon dhe inflacioni mbetet i lartë, ulja e shumëpritur e normave të interesit mund të shtyhet, duke i shtuar edhe më shumë presion administratës në Uashington.

/tvklan.al