Kriza e tejzgjatur politike në Kosovë po fut në ngërç edhe shumicën e institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura. Studiuesit theksojnë se shumica e tyre kanë probleme me përbërjen dhe funksionalitetin për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional.

“Në vitin 2025, kur e patëm publikuar një raport të shkurtër mbi gjendjen e pozitave në institucionet e pavarura dhe agjencitë kushtetuese, të cilat emërohen nga Kuvendi i Kosovës, në atë kohë ka qenë numri 17 i tyre. Në pozitat e të cilave, ta zëmë, në institucionet e caktuara ka pasur mungesë të përbërjes së plotë dhe në disa institucione të tjera kanë qenë jofunksionale. Nga ai numër 17, tani është rritur numri, është në 24, pra për shtatë institucione të tjera. Në disa prej tyre janë pa përbërjen e plotë, ndërkohë që disa prej tyre janë bërë tanimë jofunksionale”, pohoi studiuesi Naim Jakaj.

Jakaj ka paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet edhe më tej, pasi disa institucioneve u skadojnë mandatet e drejtuesve, ndërsa proceset për zëvendësimin e tyre nuk kanë nisur në kohë.

“Ne e dimë që ligji ka lënë një dispozitë të veçantë atje, që deri në zgjedhjen e personit pasardhës apo për vazhdimin e mandatit të atij ose asaj aktual/aktuale, ata vazhdojnë me ushtruar këtë mandat deri në zgjedhjen e personit adekuat. Por Kosovës, me këtë rast, numrit të pozitave që ushtrohen me ushtrues detyre u shtohen edhe ushtrues detyre të rinj. Pra, nuk do të duhej që administrata publike të funksionojë me ushtrues detyre të rinj.”

Të premten, presidentja në detyrë Albulena Haxhiu dekretoi thirrjen e seancës konstituese më 6 gusht.

Tv Klan

/tvklan.al