11 nëntor 2026- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka tentuar të ulë tensionet brenda koalicionit qeverisës, pas mosmarrëveshjeve të krijuara për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Ministri i Financave, Giancarlo Giorgetti, nuk ka firmosur ende dekretin ndërministror që parashikon këtë mbështetje, duke nxitur debate mes partive në pushtet.
Meloni u përpoq të minimizonte rëndësinë e kësaj situate, duke mohuar se ekziston një përplasje me ministrin e Financave. Sipas saj, bëhet fjalë vetëm për një vonesë të përkohshme dhe Giorgetti pritet ta firmosë dokumentin sapo të rikthehet në Romë.
Debati u bë publik pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani, i cili kishte pohuar se ai dhe Giorgetti e kishin nënshkruar tashmë dekretin.
Kjo shkaktoi pakënaqësi në radhët e partisë “Lega”, e cila ka shprehur rezerva për vazhdimin e ndihmës ushtarake ndaj Kievit.
Giorgetti, i cili prej disa ditësh nuk ndodhej në kryeqytetin italian për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpinë dhe pjesëmarrjes në takimet e Ecofin-it në Bruksel, mësohet se i ka shpjeguar Melonit gjatë një telefonate se nuk kishte pasur mundësi ta shqyrtonte dhe ta firmoste dokumentin, për shkak të klasifikimit të tij. Ai pritet të kthehet në Romë mes të mërkurës dhe të enjtes, kur edhe mund të vendosë firmën.
Kryeministrja italiane i cilësoi kundërshtimet e “Legës” si dallime në qëndrime dhe jo si një krizë brenda shumicës qeverisëse.
Ajo këmbënguli se koalicioni ka arritur gjithmonë të gjejë gjuhën e përbashkët dhe se politika e Italisë ndaj Ukrainës do të mbetet e pandryshuar.
Përplasjet vijnë në një moment kur Italia është e përfshirë në bisedimet në Abu Dhabi, në kuadër të formatit evropian “E4”. Ndërkohë, Lëvizja “Pesë Yjet” pretendoi se miratimi i paketës së re të armatimeve për Ukrainën ishte kushti për pjesëmarrjen në këto diskutime.
Nga ana tjetër, senatori i “Legës”, Claudio Borghi, paralajmëroi se çdo vendim për një dekret të ri që do të zbatohej në vitin 2027 duhet të marrë parasysh kundërshtimin politik të partisë së tij. Ai rikujtoi se ky qëndrim është përcaktuar edhe në mandatin e miratuar nga kongresi i “Legës”.
Një vit më parë, mosmarrëveshjet mes kësaj partie dhe aleatëve të saj ishin kapërcyer përmes një formulimi që i jepte përparësi ndihmës logjistike, shëndetësore dhe civile, si dhe mbështetjes për mbrojtjen nga sulmet ajrore, raketore, me dronë dhe ato kibernetike.
Përfaqësuesi i “Vëllezërit e Italisë”, Giovanni Donzelli, u shpreh se shpreson që të mos ketë nevojë për një tjetër dekret dhe që lufta të përfundojë me paqe. Megjithatë, ai theksoi se Italia nuk është tërhequr nga përgjegjësitë e saj.
Edhe Meloni mbrojti qëndrimin e qeverisë, duke e cilësuar si një burim krenarie faktin që Italia ka mbajtur një linjë të qartë. Ndërsa ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, siguroi se mbështetja italiane për Ukrainën mbetet e garantuar.
/tvklan.al












Botërori 2026 
