Dy ndryshime të rëndësishme në pankinë tronditin Superligën shqiptare: Egnatia dhe Teuta ndahen nga trajnerët e tyre pas javës së 34-të. Edlir Tetova dhe Enkelied Dobi largohen pas rezultateve negative dhe vendimeve të përbashkëta. Tashmë dy klubet synojnë të mbyllin sezonin me zgjidhje të reja dhe stabilitet në ekip.

Dy klube të rëndësishme të Superiores shqiptare, Egnatia dhe Teuta, kanë marrë vendime të papritura në stafin teknik, duke u ndarë me trajnerët e tyre përkatës në një moment vendimtar të sezonit.

Në Rrogozhinë, klubi i Egnatia ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Edlir Tetova. Vendimi vjen pas një serie negative prej katër humbjesh radhazi, që praktikisht ka larguar ekipin nga gara për titullin kampion, ndonëse siguron pjesëmarrjen në “Final Four”. Në komunikatën zyrtare, klubi thekson se ndërprerja e bashkëpunimit është marrë me mirëkuptim të ndërsjellë, duke përmendur edhe gjendjen shëndetësore dhe stresin e akumuluar të trajnerit. Egnatia e ka falënderuar Tetovën për profesionalizmin, përkushtimin dhe rezultatet e arritura gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar suksese të mëtejshme.

Ndërkohë, edhe Teuta ka konfirmuar largimin e trajnerit Enkelied Dobi, i cili ka paraqitur dorëheqjen e tij pas ndeshjeve të javës së 34-të të kampionatit. Klubi ka bërë të ditur se kërkesa e trajnerit është pranuar dhe bashkëpunimi është ndërprerë menjëherë. Klubi ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe profesionalizmin e tij gjatë drejtimit të skuadrës, ndërsa vetë trajneri ka falënderuar drejtuesit, stafin dhe tifozët për mbështetjen, duke e cilësuar eksperiencën si një nder dhe kënaqësi profesionale.

Për dy ndeshjet e mbetura të sezonit, drejtimi i Teutës do t’i besohet zëvendëstrajnerit Hodo, i cili do të punojë në bashkëpunim me stafin teknik për të mbyllur kampionatin.

Dy lëvizje të rëndësishme në pankina që vijnë në një moment delikat të sezonit, duke reflektuar tensionin dhe pritshmëritë e larta në elitën e futbollit shqiptar.

Klan News

/tvklan.al