Fluksi i turistëve në Krujë është rritur ndjeshëm këtë vit, duke e kthyer qytetin historik në një nga destinacionet më të frekuentuara në vend.

Gjatë gjashtëmujorit të parë, mbi 95 mijë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeun Etnografik dhe Pazarin karakteristik, duke shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Unë vij nga Parisi. Kam ardhur bashkë me motrën time. Kemi disa ditë që udhëtojmë në Shqipëri dhe kemi vizituar Beratin, Korçën, Sarandën. Është shumë bukur dhe shqiptarët janë të sjellshëm. E vlerësoj shumë.”

“Edhe unë vij nga Franca. Kemi disa ditë këtu dhe na pëlqen shumë ky vend i bukur, me kulturë të pasur dhe peizazh të mrekullueshëm. Nuk është shumë i shtrenjtë.”

“Kam qenë edhe më parë në Shqipëri, kur kam studiuar këtu. Këtë herë kam ardhur me familjen. Është hera e dytë që vizitojmë Krujën; kemi parë Tiranën, Shkodrën dhe duam të shkojmë në Pogradec e Vlorë.”

“Kjo është dita e dytë këtu. Më pëlqen shumë Shqipëria.”

Drejtori i Muzeut Kombëtar, Mehdi Hafizi, thotë se vizitorët vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe shfaqin interes të madh për qendrën muzeore të Krujës.

Numrin më të madh të turistëve të huaj gjatë këtij gjashtëmujori e zënë ata nga Kina, Italia, Spanja, si dhe vizitorë nga Koreja, Japonia e së fundmi nga Polonia.

Rritja e turistëve ka gjallëruar edhe aktivitetin e bizneseve në Pazarin karakteristik, ndërsa vizitorëve u ofrohet shërbim i mirë dhe mikpritje nga stafi i muzeut, duke e kthyer Krujën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar.

Klan News

/tvklan.al