Teksa na ndajnë edhe 2 ditë nga finalizimi i muajit të sakrificës për besimtarët myslimanë me festën e Bajramit, kryeministri shtroi këtë të hënë një darkë iftari. Të pranishëm në këtë darkë ishin personalitete të politikës, artit, kulturës, diplomacisë, por edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme në vend. Për kryeministrin Edi Rama, darka e iftarit bën bashkë të fortët, siç quajti ai agjëruesit, me jo të fortët.

“Vakti i iftarit nuk është i pazakonshëm. Është një ndarje buke mes më të fortëve, atyre që duke agjëruar mposhtin dobësitë e trupit. Është virtyt t’i nënshtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit në këtë muaj, që jo më kot quhet i madhërishëm, pra lartësues. Unë sot bëj pjesë te kategoria e më pak të fortëve. E shoh të virtytshme dhe uljen e jo agjëruesve në tavolinën e iftarit”.

Përgjigje pati edhe për ata që sipas Ramës i kërkojnë të mos e shtrojë më darkën e iftarit në muajin e Ramazanit.

“Ramazani pra krejt përtej konvencioneve të njërës apo tjetër palë mes shumë palëve dhe frymëve që merren pa pushim, apo që lidhen qoftë edhe në një moment iftari, me të ose nënçmimi me të, për t’ia marrë mirësinë apo adhuruar. Është në esencën e vet një dhuratë e paçmuar nën mbështjellës e të cilës gjenden dy nga virtytet e forcës së vërtetë të Islamit, paqja dhe drejtësia”.

Darka e iftarit shtrohet çdo vit nga kryeministri Edi Rama në shenjë respekti për besimtarët mysliman dhe muajin e Ramazanit.

Tv Klan