Qeveria greke planifikon të shpenzojë 25 miliardë Euro si pjesë e një strategjie 12-vjeçare të mbrojtjes. Teksa e njoftoi vendimin në parlament, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis theksoi rëndësinë e këtij ndryshimi duke pasur parasysh zhvillimet gjeopolitike.
“Në Evropë, kriza e vazhdueshme, agresioni i Rusisë në Ukrainë, teston sigurinë pas Luftës së Ftohtë. Në të njëjtën kohë në Lindjen e Mesme, intensifikohet paqëndrueshmëria”, është shprehur Kyriakos Mitsotakis.
Lëvizja është pjesë e përpjekjes së Greqisë për të modernizuar forcat e saj të armatosura pasi ajo del nga kriza e borxhit 2009-2018 që çoi në vite të tëra masash shtrënguese dhe ndërsa ajo përpiqet të mbajë ritmin me rivalin e saj historik Turqinë.
Zyrtarët me njohuri për këtë çështje thanë për Reuters se plani i mbrojtjes se do të përfshijë blerjen e nëndetëseve të reja, dronëve të rinj ajror, detar dhe nënujor, si dhe një satelit.
Një pjesë e parave do të përdoret për të zhvilluar një kupolë kundërajrore dhe kundër dronëve, të quajtur “Mburoja e Akilit”.
Greqia shpenzon tashmë rreth 3% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, por me nismën e re synohet që ushtria greke të jetë një nga më të përparurat në Evropë.
Klan News