Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale sot më 7 tetor ka publikuar pamje nga takimi me ministrat dhe funksionarë të lartë të PS-së, në kuadër të Pranisë Besnike.

Rama deklaron se në këtë takim u fol edhe për buxhetin e vitit 2027, që do të kalojë edhe tavanin prej 10 miliardë euro.

Kreu i qeverisë shprehet se me këtë nivel të ri të buxhetit do të ketë një rishpërndarje më tepër nga rritja e qëndrueshme e ekonomisë.

“Mirëmëngjes dhe me punën që vijon me takimet e Pranisë Besnike, ndërkohë që po diskutojmë Buxhetin e vitit 2027, që do të prekë tavanin rekord të 10 miliardë eurove, për të rishpërndarë më shumë nga rritja e qëndrueshme e ekonomisë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.

Diskutimet e zyrtarëve të lartë të PS në mbledhjen për Praninë Besnike

Blendi Klosi: Bëmë një rakordim të pjesës teknike dhe tani kemi arritur në një platformë të përbashkët.

Niko Peleshi: Na duhet që ta institucionalizojmë në mënyrë të qëndrueshme sistemin e unifikuar, ku janë thuajse të gjitha qarqet e përfshira

Petrit Malaj: Sa i përket buxhetit të vitit 2027, është natyrisht buxheti më i madh. Këtë herë kemi kaluar edhe nivelin e 10 miliardë eurove. Sa i përket prioriteteve për 2027, do të kemi dyfishim të pagesave për fëmijët me aftësi ndryshe, kemi njohje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët të fëmijëve.

Do aplikojmë për herë të parë duke nisur nga viti 2027 bonusin e bebeve, që do të paguhet çdo muaj. Këtë vit do bëjmë dhe përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale për shtresat në nevojë. Te Bujqësia do vijojmë edhe gjatë 2027 me programin e kompensimit të TVSH-së.

Skema e mbështetjes direkt të fermerëve parashikohet në rritje në masën 5.3 miliardë lekë, Shëndetësia do jetë në fokus të buxhetit. Kemi bërë rritje me rreth 1 miliard lekë për financimin e barnave e pajisjeve në shërbimin e kujdesit parësor dhe dytësor. Kemi përmbushur angazhimin e 2.35 përqind të PBB si nivel buxhetimi në mbrojtje. Për MPJ, ndër prioritetet kryesore është kompletimi i misionit që kemi në Bruksel

/tvklan.al