Ministri i Brendshëm Ervin Demo, drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe zyrtarë të lartë të Policisë ishin sot më 7 tetor në Akademinë e Sigurisë.
Ata mbajtën fjalën e tyre përpara studentëve, që studiojnë degën “Siguria dhe Hetimi” dhe do të jenë oficerë të ardhshëm.
Fjalën i pari e mori ministri i Brendshëm Ervin Demo. Ai tha se studentët e Akademisë së Sigurisë janë përzgjedhur nga shumë kandidatë.
Demo theksoi se policët e ardhshëm do të plotësojnë të gjitha standardet, që janë të nevojshme për sigurinë e vendit. Ministri nënvizoi se po bëhet gjithçka, që policët të mirëpaguhen dhe që gjithashtu infrastruktura me të cilën punojnë efektivët të jetë në nivelin e duhur.
“Kombinimi i faktorit të ardhmes që jeni ju me eksperiencën që ne kemi në Policinë e Shtetit do të jetë formula për të garantuar një Polici Shteti, e cila do të plotësojë të gjitha standardet që ne do të donim për të ardhmen e vendit. Sot do të doja t’ju uroja shumë suksese në këtë rrugëtim.
Do të doja të përgëzoja edhe stafin akademik, sepse kjo është një ditë feste gjithmonë kur institucionet e arsimit të lartë kanë ditën e parë të universitetit. E mbaj mend shumë mirë sepse e kam përjetuar, pasi kam qenë 15 vjet pjesë e stafit akademik të Universitetit të Tiranës.
Besoj që po ashtu kjo ditë, është një ditë e cila vlen për të projektuar atë çfarë ne duam të bëjmë, qoftë dhe me Akademinë e Policisë së Shtetit, për ta ngritur atë në nivele të tjera për ta transformuar jo thjesht nga pikëpamja e infrastrukturës, por mbi të gjitha për ta sjellë Akademinë e Policisë së Shtetit në atë çfarë koha kërkon dhe atë çfarë ne kemi punuar dhe e gjithë stafi akademik dhe gjithë drejtuesit të gjithë zinxhir drejtuesve të Policisë së Shtetit ka punuar deri tani”, u shpreh kreu i Ministrisë së Brendshme.
Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita deklaroi se puna në Polici nuk është thjesht një punë, por është një përkushtim për atdheun. Hita nënvizoi se çdo polic ka një mision tepër të rëndësishëm.
“Pas tri vitesh do të jeni oficerë të Policisë së Shtetit, një titull që ju jep privilegjin, por mbi të gjitha përgjegjësinë, për t’iu shërbyer qytetarëve, sigurisë dhe vendit.
Ndaj mësoni sa më shumë, sepse dija, e gërshetuar me stërvitjen dhe disiplinën, do të jenë faktorët kryesorë në formësimin tuaj profesional dhe njerëzor gjatë këtyre viteve.
Që ditën e parë të punës sime si Drejtor i Përgjithshëm, Akademia ka qenë dhe do të jetë në vëmendjen time të veçantë, sepse ajo është motori kryesor i rigjenerimit të Policisë, i shkollimit, trajnimit dhe përgatitjes së brezave të rinj të Policisë së Shtetit.
Jam angazhuar maksimalisht, së bashku me Rektorin dhe Bordin e Akademisë, për të eliminuar çdo problematikë që kemi hasur gjatë këtij viti dhe do të jem pranë jush, ashtu siç do të jem pranë çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që, me ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë, përmbush këtë mision të shenjtë.
Mos nguroni të më shkruani për çdo shqetësim apo ide për përmirësim. Duke folur, komunikuar dhe duke dhënë kontributin tuaj në zgjidhjen e problematikave kudo që ato shfaqen.
Dhe mos harroni përgjegjësinë që keni marrë mbi vete dhe përkushtimin që duhet të keni për të dalë sa më të aftë nga ky fakultet, për t’i shërbyer qytetarit, ligjit dhe atdheut!”, u shpreh Hita.
Akademia e Sigurisë është bërë shkolla, nga e cila dalin punonjës policie dhe oficerë që shërbejnë në nivele të ndryshme.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit, të Policisë Kriminale, të parandalimit të pastrimit të parave dhe të krimit kibernetik, ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve dhe që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.












Botërori 2026 
