09 shtator 2026- Ka përfunduar takimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me strukturat vendore të Policisë së Korçës.
Në fokus të takimit ka qenë siguria në shkolla, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, si dhe masat që duhet të marrë Policia për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Më tej, Hita ka kërkuar nga strukturat angazhim për të shtuar kontrollet në perimetrin e sigurisë së institucioneve arsimore.
Një tjetër pikë diskutimi ka qenë parandalimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike në shkolla, duke rritur bashkëpunimin e Policisë me drejtoritë arsimore dhe institucionet e tjera.
Hita ka dhënë porosi edhe për intensifikimin e luftës ndaj krimeve ndërkufitare, duke kërkuar hetime të plota dhe angazhim për goditjen e rasteve të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sa i takon sigurisë rrugore, Hita ka kërkuar përdorim më të gjerë të teknologjisë, duke reduktuar kontrollet e mjeteve në akset rrugore.
Në përfundim të takimit, kreu i Policisë së Shtetit kërkoi nga strukturat vendore intensifikimin e luftës ndaj aktivitetit të grupeve kriminale.
Gjatë takimeve të mëparshme në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë, Hita e ka vënë theksin te situata kriminale, kryesisht te krimet e rënda, si dhe te kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve.
Ai kërkoi që Policia Kriminale të angazhohet maksimalisht në drejtim të sigurimit të informacionit dhe më pas të veprohet ndaj elementeve që qarkullojnë me armë zjarri, armë të ftohta, lëndë eksplozive, lëndë narkotike, si dhe ndaj atyre që kultivojnë bimë narkotike.
“Të punohet me hetime proaktive për të evidentuar dhe goditur grupet kriminale dhe të intensifikohet puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë“, u shpreh Hita.
/tvklan.al












Botërori 2026 