Sfidë e vetme për socialistët duket të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke evituar një përgjigje direkte mbi debatin për çështje të kodit zgjedhor, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste tha se forca politike që drejton do të fitojë në 2009-tën dhe kjo jo si shërbim i interesave të ngushtë politikë, por në shërbim të qytetarëve.

Edi Rama: “Zgjedhjet e Qershorit të ardhshëm nuk janë zgjedhjet e mia, por zgjedhjet tuaja. Fitorja e tyre ka të bëjë me sfidën time personale aq sa çka të bëjë edhe me sfidën e secilit prej jush në një kohë sfidash të mëdha kur Shqipërisë i duhet me patjetër një rrugë e re. Nuk na duhet një fitore për të çuar në pushtet disa njerëz në vend të disa të tjerëve, por na duhet një pushtet që të na çojë në fitoren e këtyre sfidave që s’mund t’ua lëmë të tjerëve.”

Për Ramën korrupsioni mbetet problemi më i madh me të cilin përballet vendi sot, situatë për të cilën kryesocialisti fajësoi qeverinë aktuale.

Edi Rama: “Nuk jam këtu për t’u ngjitur me çdo kusht në qeveri bashkë me disa të tjerë dhe për të vazhduar të njëjtin avaz të 17 vjetëve keqqeverisje për shkak të rregullave të vjetra të lojës, por jam këtu për t’i ndryshuar këto rregulla dhe vetë politikën me bindjen se vetëm kështu mund të ndryshojë rezultati i qeverisjes në të mirë të njerëzve”.

Rama e bëri këtë deklaratë gjatë prezantimit të rrjetit të vullnetarëve pranë kësaj force politike, një grup të rinjsh që sikurse tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të përçojnë frymën e ndryshimit dhe filozofinë socialiste në të gjithë vendin./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi