U rikthyen në fuqi këtë të diel, sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit, të vendosura fillimisht sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore. Rikthimi automatik u kërkua nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, pasi Irani kufizoi më tej monitorimin ndërkombëtar mbi programin e tij bërthamor dhe bllokoi negociatat me Shtetet e Bashkuara.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve iraniane jashtë vendit, ndalimin e tregtisë së armëve me Teheranin dhe penalizimin e zhvillimit të programeve bërthamore e raketore të Iranit.

Parlamenti iranian ka paralajmëruar se mund të shqyrtojë tërheqjen nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ndërsa kryeparlamentari Mohammad Bagher Qalibaf ka kërcënuar me “masa reciproke” ndaj çdo vendi që zbaton rezolutat e reja.

Irani u tërhoq nga bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor, gjatë së cilës edhe Shtetet e Bashkuara goditën disa prej objekteve bërthamore në territorin iranian. Aktualisht, Teherani zotëron rezerva uraniumi të pasuruara deri në 60%, vetëm një hap teknik larg nivelit për prodhim armësh bërthamore.

Teherani insiston se programi i tij është paqësor, por rikthimi i sanksioneve dhe përjashtimi i inspektorëve rrisin ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit me SHBA-në dhe Izraelin.

Tv Klan

/tvklan.al