Paraqitja e fundit publike e Sarah Ferguson, ish-dukeshës së Jorkut, së bashku me ish-bashkëshortin e saj Prince Andrew, daton më 16 shtator. Atë ditë, të dy morën pjesë në meshën mortore për dukeshën Katharine, Dukeshën e Kentit në Katedralen e Uestminsterit (Westminster Cathedral), në zemër të Londrës, pranë Abacisë së Uestminsterit dhe Pallatit të Parlamentit britanik. Ishte një ceremoni ku u mblodh pothuajse e gjithë familja mbretërore, por Andrew dhe Sarah mbajtën distancë nga Princi dhe Princesha e Uellsit.
Dhjetë ditë më vonë, Sarah u pa për herë të fundit e vetme, duke u larguar me makinë nga rezidenca “Royal Lodge”, në parkun e madh të Uindsorit, ku ka jetuar prej vitesh. Që atëherë, ajo është zhdukur nga jeta publike, ndërsa familja mbretërore po përballet me pasojat e rënda të skandalit që lidhet me emrin e Jeffrey Epstein, financieri amerikan i dënuar për abuzime seksuale.
Sipas raportimeve të gazetës britanike Daily Mail dhe transmetuesit publik BBC, ish-dukesha fillimisht ka kaluar disa ditë në Alpet franceze me shoqet e saj, përpara se të udhëtonte drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Atje mendohet se është bashkuar me vajzën e saj, Princesha Eugenie, e cila punon për galerinë ndërkombëtare të artit Hauser & Wirth dhe kishte udhëtuar drejt Dohas në Katar për një panair arti.
Burime nga mediat britanike thonë se Sarah “nuk është mirë emocionalisht” dhe ndihet nën presion të madh publik. Për më tepër, sipas BBC-së, ajo është detyruar të mbyllë gjashtë kompani që kishte hapur ndër vite, për shkak të vështirësive financiare dhe dëmtimit të imazhit, pas publikimit të dokumenteve të njohura si “Dosjet Epstein”. Në këto dokumente përmendet se ajo në të kaluarën i kishte kërkuar këshilla financiare Epstein-it, në një kohë kur përballej me borxhe. Zëdhënësi i saj ka deklaruar se ajo i kishte ndërprerë lidhjet me të, sapo mësoi për përmasën e akuzave.
Ndërkohë, situata e Princit Andrew është përkeqësuar ndjeshëm. Ai është zhvendosur nga rezidenca e tij dhe po përballet me presion politik për t’u përjashtuar nga linja e trashëgimisë së fronit. Megjithatë, titulli “Duka i Jorkut” nuk i është hequr, çka mbron statusin e vajzave të tij, Princeshës Beatrice dhe Princeshës Eugenie. Ato mbeten Princesha dhe kanë tituj Mbretërorë falë dokumenteve të vitit 1917 të nxjerra nga mbreti George V.
Megjithëse të divorcuar që nga viti 1996, Sarah dhe Andrew kishin ruajtur marrëdhënie të afërta dhe jetonin në të njëjtën rezidencë për vite me radhë. Vetë Sarah kishte deklaruar më herët se martesa e saj ishte ndërtuar mbi dashurinë dhe respektin e ndërsjellë.
Sot, ndërsa vëmendja e monarkisë britanike është përqendruar te brezi i ri dhe roli i ardhshëm i trashëgimtarëve të Princit William, figura e Sarah Ferguson mbetet në hije. Thuhet se ajo po shqyrton mundësinë e një qëndrimi më të gjatë jashtë Mbretërisë së Bashkuar, ndoshta në Emirate apo edhe në Portugali, ku familja ka prona.
E ardhmja e saj mbetet e paqartë. Por është e qartë se rënia e Princit Andrew ka ndikuar jo pak edhe mbi ish-bashkëshorten e tij, duke e shtyrë drejt një periudhe izolimi, pasigurie dhe largimi nga sytë e publikut.
/tvklan.al












Botërori 2026 
